Përgatiti: Fatlum Jashari
Edhe pse nën masa ndëshkuese, të premten, Kosova nënshkroi marrëveshje nga e cila, bashkë me Malin e Zi, do të përfitojnë afër tetë milionë euro e gjysmë nga Bashkimi Evropian.
Ky i fundit veçse ka ndarë mjetet financiare për ujdinë ndërmjet dy shteteve për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III 2021-27.
“Me 8.4 milionë euro të alokuara për të ardhmen, jemi të përkushtuar në nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe bashkimit në këto fusha të rëndësishme”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Nuk ka konfirmim zyrtar nëse kjo marrëveshje e re, në kuadër të instrumentit të para-anëtarësimit, përbën lëvizje në raport me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Shenjë shpresëdhënëse e vlerësoi këtë zhvillim politologu Fidan Ukaj.
“Mund të jetë sinjal që BE-ja dëshiron t’i lehtësoj këto masa, me shpresën që t’i largojë, e po ashtu fondet e IPA-s të vazhdojnë të jepen edhe për projekte shumë të rëndësishme për Kosovën, të cila kanë qenë edhe më herët. Mos të harrojmë, edhe USAID ka ndarë mjete për Kosovën, dhe mund them lirisht se janë sinjale të mira, pozitive, se shumë shpejtë mund të kemi largimin e këtyre masave apo sanksioneve nga BE-ja”, tha Ukaj.
Rreth 300 milionë euro është një vlerësim për totalin e projekteve të pezulluara –shumica në kuadër të IPA-s – si pasojë e ndëshkimit nga BE-ja.
Në anën tjetër, blloku 27 anëtarësh po pret raportin final hetimor për 24 Shtatorin, para se të shqyrtojë vendosjen eventuale të masave për Serbinë.
Bashkimi Evropian ende nuk ka pajtimin e brendshëm as për ndryshimet e propozuara në Kapitullin 35 të rrugës së anëtarësimit të Serbisë, konkretisht futjen si kusht të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës me Kosovën.
Pengues kryesor në të dyja rastet është Hungaria, kryeministri i së cilës, Viktor Orban, në Tetor, samitin në Spanjë, kishte qeshur me kërkesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që BE-ja ta ndëshkojë Serbinë.