Përgatiti: Arian Hajdaraj
“Që 26 vjet më nuk kam shkelë në këtë vend. Më 25 mars 1999, këtu kemi fjetur mbi 1200 veta”, rrëfen i mbijetuari nga Masakra e Krushës, Afrim Zeqiri.
Ndryshimi i relievit në luginë, Afrim Zeqirit nuk ia zbeh aspak kujtimet e natës kur me 1000 banorë të tjerë strehoheshin këtu, larg forcave serbe.
Këta, nuk gjetën qetësi as këtu, meqë më 26 mars, u detyruan të largohen për në qendër të Krushës.
“Na thanë kur bëhet ora 4 e masdites, me u lëshu në fshat”, thotë Zeqiri.
Nën kërcënimin e armëve, urdhrin e zbatuan, pa e ditur se për disa prej tyre do të jenë hapat e fundit.
“Kur kemi ardhë këtu, ishin kanë 15 policë, dhe na kanë thanë ‘ndaluni’”, rrëfen Zeqiri.
Në këtë ndalesë, edhe e ndanë një grup prej 50 burrave, të cilët u masakruan, por për Zeqirin, fati kishte një tjetër plan.
“Kur ka fillu gjuajtja mas shpinës, kanë shku shumë plumba për skaj shpinës sime, por nuk më kanë kapë. Por, kemi ra në gropë, ku kish pas të vramë më herët”, thotë Zeqiri.
“Pastaj, kam fillu me lëviz, i kam pa edhe dy shokë tjerë që nuk janë vra…”, tregon Zeqiri.
Shumica e të masakruarve me këtë grup, vazhdojnë të jenë të zhdukur, megjithatë, tek varrezat në Krushë, atyre u është ruajtur një vend.
“Kur vi këtu, për mua është shumë rëndë. E mendoj se kam mundur të jem edhe unë këtu i varrosur, pranë shokëve të mi, të cilët ende nuk janë gjetur”, rrëfen Zeqiri.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë: