Ka përfunduar protesta në lagjen Kalabria në Prishtinë, përmes të cilës kundërshtua vendimi për ndërprerjen e punimeve në projektin “Rruga A”.
Përveç pezullimit të punimeve në projektin “Rruga A”, qytetarët protestuan edhe për planin e ndërtimit të kësaj lagjeje që nuk po votohet ne Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Kujtojmë se ditë më parë, Gjykata Komerciale ka marrë vendim pezullimin e projektit të ndërtimit të Rrugës A.
Vendimi është nxjerrë të martën për shkak të ankesës së një operatori ekonomik kundër tenderit.
Komercialja e ka vlerësuar të bazuar ankesën e kompanisë ‘Pro & Co Group’ dhe e ka shtyrë ekzekutimin e vendimit.
“Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedural është më se i duhur që të ruhet interesi publik”, thuhet në vendimin e Komerciales.
Punimet do të ndërpriten deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara në procesin e tenderit. /atvlive.tv