Një aksion i madh i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, i udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, është zhvilluar sot në disa qytete të Kosovës.
Burime e Televizionit Tëvë1 bëjnë të ditur se aksioni pa përfunduar ku ky aksion përfshin hetimet për vepra të rënda penale në fushën e krimeve ekonomike, ndërsa deri më tani janë arrestuar rreth 35 persona. Sipas të njëjtave burime, vlera e dëmit të shkaktuar dyshohet se tejkalon shifrën mbi 1 milion euro.
Gjatë bastisjeve të realizuara në kuadër të këtij aksioni, autoritetet kanë sekuestruar edhe rreth 20 mijë euro para të gatshme, si dhe materiale të tjera që pritet të shërbejnë si prova në procedurat hetimore.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe emra të njohur, përfshirë Sami Mazrekun, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), si dhe Valon Berisha, ish-drejtor i Financave në këtë institucion.
Burime brenda hetimeve bëjnë të ditur se aksioni lidhet me dyshime për keqpërdorime financiare dhe veprime të kundërligjshme që kanë dëmtuar buxhetin dhe funksionimin e institucioneve përkatëse. Hetimet për këtë rast kanë qenë në zhvillim për një periudhë më të gjatë, ndërsa aksioni i sotëm konsiderohet si fazë kyçe e tyre.






