18.7 C
Pristina
E enjte, 19 Shtator, 2024

Për të tretën ditë me radhë kanë protestuar specializantët e QKUK-së

Përgatiti: Sara Shehu

Më shumë se 50 specializantë të QKUK-së, tentuan të futen brenda objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Por, u penguan nga Policia e cila intervenoi bashkë me personelin e sigurimit. Megjithatë, ata doli t’i takojë sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, i cili i dëgjoi kërkesat e tyre.

“Po i dëgjoj kërkesat tuaja, mund të flisni por një nga një….”, tha Bardiqi.

“Nuk mendoj që është e drejtë që me punu e n’fund as kujdestaria mos me na u pagu, këtu ka familjarë që s’paguhet, është shumë e rëndë”, tha Arianit Zajmi, organizator i protestës.

“Po dërgojmë kërkesa e ankesa të shumta, po asnjëherë nuk keni kthy përgjigje me shkrim, na injoroni deri në fund. Për shkak të injorimit tuaj ne kemi arritur në këtë gjendje, s’ka përgjigje, as plotësim të kërkesave, s’ka asgjë”, tha Uran Halimi, protestues.

Bardiqi tha se me udhëzimin administrativ për shkollimin specialistik, specializantët në kontratën e nënshkruar nuk e kanë të paraparë kompensimin e dy kujdestarive, por vetëm përmbushjen e orëve të përcaktuara.

“Ju jeni aktualisht të acaruar, jeni tu e konstatu situatën sipas mendimit tuaj. Por unë jua shpjegoj se kur është hartuar ky akt ligjor për shkollimin specialistik, hartuesit i kanë bërë këto definime, të cilat janë në fuqi e që duhet të zbatohet. Përndryshe ankesat që jeni duke i bo sot, është dashur me i ba para se me hy ky udhëzim administrativ në fuqi”, tha Bardiqi.

Sa i përket transparencës së këtij dikasteri, ai tha se janë të gatshëm që çdo kërkesë të tyre ta shqyrtojnë.

Kjo është dita e tretë e protestës së specializantëve të klinikave të QKUK-së, derisa kanë paralajmëruar edhe aksione të tjera.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA