Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci u takua me homologun e tij, Ministrin e Bujqësisë të Letonisë, Armands Krauze me të cilin zhvilluan një bisedë të frytshme rreth bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë, por edhe në thellimin e bashkëpunimit të deritanishëm në sektorin e pylltarisë.
Gjatë këtij takimi, Ministri Peci theksoi se me Letoninë ndajmë vlera të përbashkëta për sa i përket bujqësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori. “Me ministrin Krauze u dakorduam që shumë shpejt ta zyrtarizojmë bashkëpunimin mes vendeve tona përmes një Marrëveshjeje të Mirëkuptimit në mënyrë që përmes projekteve të përbashkëta, të kemi qasje në fondet mbështetëse evropiane e ndërkombëtare”, tha mes tjerash ministri Peci i cili njëkohësisht edhe e ftoi homologun e tij, ministrin Krauze për vizitë në Kosovë në mënyrë që të ketë një pasqyrim më të mirë të potencialit agro-ekonomik të vendit tonë.
Tutje, Ministri i BPZhR-së, Faton Peci shtoi se Kosova dhe vendet e Baltikut ndajnë edhe rrezikun e përbashkët të fqinjëve agresorë përpos vlerave të përbashkëta njerëzore, andaj edhe nevoja për bashkëpunim ndërshtetëror është më e shprehur dhe duhet të intensifikohet.