PE-ja miratoi “liberalizimin e vizave” për pasaportat koordinuese serbe

Përgatiti: Fatlum Jashari

Bashkimi Evropian bëri hapin e parafundit drejt liberalizimit të vizave për Zonën Schengen për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese Serbe.

Parlamenti Evropian miratoi raportin e euro-deputetit slloven, Matjaz Nemec, i cili rekomandimin e tij e paraqiti të zhveshur nga konteksti politik.

“Ky është një votim i rëndësishëm. Kjo nuk është çështje politike, por teknike. Është vazhdim i vendimit për liberalizimin e vizave për Serbinë, i miratuar më 2009, dhe për Kosovën që nga fillimi i këtij viti. Ky vendim është për t’ua bërë njerëzve jetën më të mirë dhe afekton rreth 18 mijë serbë rezidentë të Kosovës, të cilët kanë pasaporta speciale. Dhe, që nga fillimi i këtij viti ata mbesin kategoria e vetme e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor, të cilët nuk gëzojnë liberalizimin e vizave me BE-në”, tha Nemec.

Përkundër se Kosova konsideron se vendimi shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, hartuesi i raportit iu referua vetëm aspektit të lëvizjes së lirë.

“Besoj se nuk ka justifikim për këtë, politik apo ndonjë tjetër. Kjo është një çështje të cilën e krijoi BE-ja më 2009 dhe na takon neve ta ndreqim atë. Në thelb, kjo është çështje e trajtimit të barabartë ose diskriminimit, dhe ne duhet të jemi kundër çfarëdo forme të diskriminimit. Nuk duhet të lejojmë që këta qytetarë të paguajnë çmimin për dështimin e politikanëve të tyre”, tha Nemec.

Duke e vlerësuar të papranueshëm, Qeveria e Kosovës theksoi se vendimi nuk reflekton realitetin e së drejtës për udhëtim pa viza.

“Ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, kur vetëm para më shumë se një viti, një tentativë e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit, të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-së. Shtyrja para e këtij propozimi, ka ndikim negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Që prej momentit kur është iniciuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë”, thuhet në reagimin nga Qeveria e Kosovës.

Me kërkesë të BE-së, pas liberalizimit të vizave, më 2009, Serbia hapi Drejtorinë Koordinuese, e cila lëshon pasaporta për shtetasit serbë që jetojnë në Kosovë.

Për qytetarët e pajisur me dokumente të tilla serbe, nuk vlen liberalizimi i vizave.

Mbajtësit e atyre që njihen si “pasaporta koordinuese”, të cilat i paraqesin qytetet e Kosovës si pjesë të Serbisë, nuk mund të udhëtojnë nëpërmjet aeroportit të Prishtinës.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA