Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, i është përgjigjur asaj që Bashkimi Evropian e cilësoi si befasi, kur iu referua reagimit të këtij subjekti politik lidhur me çështjen e Ligjit për të huajt.
Behrami thotë se PDK-ja është viktima më e madhe e dialogut, bashkëpunimit dhe lojalitetit ndaj Perëndimit, kurse sipas tij Vetëvendosje është përfituesja më e madhe nga konfrontimi, nga dhuna politike dhe nga besëprerja ndaj Perëndimit.
“PDK-ja është viktima më e madhe e dialogut, bashkëpunimit dhe lojalitetit ndaj Perëndimit. Ndërsa VV-ja është përfituesja më e madhe nga konfrontimi, nga dhuna politike dhe nga besëprerja ndaj Perëndimit. Andaj, mos u befasoni me një standard që vetë e keni legjitimuar. Me negociatat sekrete dhe pranimin e strukturave paralele, Kurti ka vendosur themelet e jetësimit të Zajednicës. Ajo, bazuar në marrëveshjen e Ohrit, parasheh autonomi territoriale për veriun dhe eksteritorialitet për kishat ortodokse serbe”, ka shkruar ai.






