Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka adresuar një varg kritikash në adresë të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton Ekonomia Online.
Bajrami tha se të hyrat financiare janë rritur për shkak të inflacionit.
“Nëse një produkt ka kushtuar një euro dhe TVSh-ja është 18 për qind, atëherë shteti i inkasuar 18 cent dhe nëse produkti është rritur në 1.50, atëherë i keni inkasuar 27 cent dhe arsyeja e rritjes së të hyrave është inflacioni dhe kjo i bie që në kurriz të qytetarëve”.
E pas kritikave të Bajramit, reagoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadriu.
Ajo tha se për shkak të neglizhencës, Vitia është lënë pa u kyçur në autostradë. Dhe sipas saj, kyçjen po e bën kjo Qeveri.
“Kyçja e Vitisë në autostradë nuk është bërë për 12 vite dhe është lënë për shkak të 2 milionë eurove anash. Është pikërisht LDK që Ligjin për Çmimin për Tavan e ka dërguar në Kushtetuese dhe pikërisht një kryetar komune nga PDK e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë”, tha ajo.
E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, tha se gjetjet e vitit 2021 me atë të vitit 2022 janë të njëjta. Ai si shembull e mori pagesat e qytetarëve serbë të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, të cilët paguhen pa shkuar në punë.