Partia Demokratike e Kosovës ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për situatën e krijuar lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se u tentua të shmanget dërgimi i vendit në zgjedhje përmes mosbashkëpunimit.
Në një konferencë për media, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se VV-ja e ka zvarritur procesin e zgjedhjes së presidentit deri në orët e fundit, duke iu shmangur, sipas tij, përgjegjësisë.
“Shumica parlamentare me vetëdije të plotë keqpërdori besimin e 51.1% të votuesve, në vend që të kërkojnë marrëveshje, ata vendosën që edhe posti i presidentit t’u takonte atyre, u propozuan kandidatë partiakë, pa asnjë marrëveshje dhe pa votat e nevojshme”, ka thënë ai.
Sipas Tahirit, PDK-ja ka zhvilluar takime me kryeministrin për të gjetur zgjidhje për çështjen e presidentit.
Ai ka theksuar se problemi nuk është posti i presidentit, por, sipas tij, dëshira për të kontrolluar çdo institucion nga VV-ja.
“Nëse e di që nuk i ke votat, atëherë në politikë kërkon marrëveshje dhe konsensus. Por kur refuzon marrëveshjen dhe insiston vetëm në kandidatë partiakë, mesazhi është i qartë: problemi nuk është zgjedhja e Presidentit, por dëshira për të kontrolluar çdo institucion të shtetit. Dëshira për t’i nënshtruar të gjithë akterët e tjerë politikë ndaj një mentaliteti autoritar, për ta kapur çdo institucion”, ka thënë Tahiri në konferencë për media.
Derisa ka mbrojtur qëndrimin e PDK-së në procesin e zgjedhjes së presidentit, Tahiri ka shtuar se deri tash asnjëherë Kuvendi nuk ka dështuar ta zgjedhë një president.
Ai shtoi se PDK ka mbështetur idenë e një kandidati konsensual nga familja Jashari, ka qenë e hapur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike dhe në fund ka ofruar edhe një marrëveshje të kufizuar vetëm për zgjedhjen e Presidentit.
“Pra, alternativa kishte. Zgjidhje kishte. Mungoi vetëm vullneti politik i shumicës parlamentare. Ose, thënë më saktë: në Lëvizjen Vetëvendosje mbizotëroi etja dhe dëshira për pushtet dhe kontroll absolut”, u shpreh Tahiri.
Kurse deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese.
“Kompetenca për zgjedhjen e Presidentit nuk është diskrecionale, por një detyrim pozitiv kushtetues. Mosnisja e procedurës përbën një mosveprim kushtetues institucional që bllokon krijimin e një organi të shtetit”, deklaroi Gruda.






