Në Shipol të Mitrovicës, Sanije Sheremeti, nëna e dëshmorit Hamdi Sheremeti, të rënë në Betejën e Koshares, u detyrua të ngjiste shkallët për të ushtruar të drejtën e saj të votës, pavarësisht vështirësive në të ecur.
Gazetari i ATV-së, Arian Hajdaraj, raportoi se fillimisht komisionerët ishin njoftuar për situatën dhe ishte propozuar që votimi të kryhej jashtë qendrës së votimit, por kjo nuk u mundësua.
Si rezultat, Sanije Sheremeti u detyrua të ngjitej vetë deri tek kutia e votimit, duke hasur vështirësi të mëdha.
Në një prononcim për ATV-në, ajo u shpreh se ka ardhur nga Gjermania për të votuar dhe për të dhënë kontributin e saj për Kosovën, për të cilën ka sakrifikuar edhe djalin.
“E kam dhënë djalin për lirinë e Kosovës, e kam varrosur në Koshare. Pavarësisht vështirësive, e kreva obligimin tim qytetar, ishalla kemi fat dhe na bëhet mirë për këtë rini,” tha ajo. /atvlive.tv