Pastrimi i parave e dëmton konkurrencën dhe i çon në falimentim bizneset e rregullta 

Shkruan: Arian Hajdaraj

Shpëlarja e parave dëmton institucionet e sektorit financiar, të cilat janë thelbësore për rritjen ekonomike, duke nxitur krimin dhe korrupsionin që ngadalësojnë rritjen ekonomike dhe duke ulur efikasitetin në sektorin real të ekonomisë.

Sipas “Basel Institute on Governance”, i cili renditë vendet ku tolerohet shpëlarja e parave, në krye të listës janë vendet si Mianmar, Haiti, Kongo, Çadi e Venezuela. Por sipas raportit të Bankës Botërore, këto vende nuk kanë përfituar ekonomikisht nga ky proces. Sipas Bankës Botërore, këto vende kanë nivelin më të ulët të investimeve të huaja direkte, të cilat janë në nivel prej 0.2% të GDP-së.

I njëjti Institut i renditë vendet ku shpëlarja e parave është e vështirë.  Për shembull, Finlanda, Estonia e Islanda janë në fund të listës së hartuar nga “Basel Institute on Governance” ndërsa janë në krye të listës së Bankës Botërore për ambient për investime dhe zhvillim.

“Askush nuk investon në një vend ku pastrimi i parave është i lartë”

Nga Oda Ekonomike e Kosovës kanë deklaruar se pastrimi i parave ndikon negativisht në ambientin afarist dhe largon investitorët e huaj.

“Ndikimi negativ është i jashtëzakonshëm dhe në shumë drejtime. Fillimisht, dëmton drejtpërdrejt bizneset e ndershme, një dukuri që dëmton imazhin e Kosovës si vend jo i sigurt për të bërë biznes, dhe ajo që është më e padëshirueshme: largimi i investitorëve të huaj. Askush nuk investon në një vend ku pastrimi i parasë është i lartë”, thuhet në përgjigjen e OEK.

Sipas tyre, dukurinë e pastrimit të parave shteti duhet ta luftojë në çdo formë.

Një nga sektorët që sipas Luan Hasanajt, pronar i kafenesë “Memories Lounge” në Prishtinë, ndjen drejtpërdrejt ndikimin e shpëlarjes së parave është ai i gastronomisë. Ai thotë se ky fenomen po dëmton bizneset e ndershme si i tij.

“Unë mbaj një biznes familjar në sektorin e gastronomisë dhe shpeshherë kam vërejtur lokale të tjera që ofrojnë çmime nën nivelin e tregut. Kjo më bën të dyshoj se mund të ketë raste të shpëlarjes së parave. Lokale të caktuara ulin çmimet në mënyrë jo të zakonshme, gjë që dëmton bizneset si i joni që operojnë në mënyrë të ndershme”, deklaroi Hasanaj.

Për të mbrojtur tregun e ndershëm, Hasanaj është shprehur se institucionet përkatëse duhet të rrisin monitorimin dhe të zbatojnë masa më të forta kundër këtyre praktikave.

Kurse profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, thekson se shpëlarja e parave cenon konkurrencën e ndershme dhe ulë besimin e publikut në institucionet financiare.

“Kjo praktikë e paligjshme u jep bizneseve të përfshira në aktivitete kriminale një avantazh të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme. Si rezultat, bizneset e vogla dhe të mesme mund të dështojnë, duke reduktuar diversitetin dhe konkurrencën në treg. Për më tepër, shpëlarja e parave dobëson institucionet financiare duke rritur rrezikun e krizave dhe duke ulur besimin e publikut në sistemin bankar”, vlerëson Qerimi.

Nga Oda Ekonomike e Kosovës kanë thënë se janë angazhuar në rritjen e ndërgjegjësimit për shpëlarjen e parave.

“Ne ofrojmë trajnime të vazhdueshme për bizneset, duke rritur ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë e tyre në respektimin e rregullave financiare. Sektori financiar dhe bankar në Kosovë ka bërë përparime të konsiderueshme, por ka ende hapësirë për zhvillim të mëtejshëm të programeve të dedikuara”, kanë potencuar nga OEK.

Cili është roli i Bankës Qendrore të Kosovës?

Mandati parësor për luftimin dhe parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimit të terrorizmit i përket Njësisë së Inteligjencës Financiare (NJIF) sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit.

Ndërsa Banka Qendrore e Kosovës (BQK), bazuar në paragrafin 4, të nenit 34 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit, zbaton kompetencat mbikëqyrëse në institucionet financiare për sa i përket pajtueshmërisë me këtë ligj dhe me rregulloret përkatëse.

Nga BQK thonë se kanë krijuar një kornizë rregullative kundër pastrimit të parave, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

“Inspektimet në vend dhe jashtë vendit, monitorimi i transaksioneve dhe miratimi i një metodologjie mbikëqyrëse të bazuar në rrezik janë disa nga mekanizmat kryesorë që ne i kemi në funksion për ta luftuar pastrimin e parave”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Mekanizmat kryesorë që zbatohen ndaj institucioneve financiare sipas BQK-së përfshijnë kuadrin rregullativ, inspektimet në vend dhe jashtë vendit, monitorimin e transaksioneve, qasjen e bazuar në rrezik, teknologjinë dhe analizën e të dhënave dhe ngritjen e kapaciteteve.

Megjithatë, njohës të fushës së drejtësisë paralajmërojnë se duhet ende punë për ta luftuar pastrimin e parave. Juristi Florim Shefqeti, i cili ka trajtuar raste të shpëlarjes së parave, thekson nevojën për një kornizë më të plotë ligjore.

“Korniza ligjore është e pamjaftueshme. Ka mungesë të spektrit ligjor dhe nënligjor. Sfidat janë në mungesën e trajtimeve dhe trajnimeve profesionale, si dhe resurseve humane profesionale. Përmirësimi bëhet përmes mekanizmave profesionalë, plotësimit të kornizës ligjore dhe trajnimeve”, ka deklaruar Shefqeti.

Ku mund të raportohen rastet e dyshimta për shpëlarjen e parave?

Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e përcakton shpëlarjen e parave si “përpunimi i të ardhurave të krimit për të maskuar origjinën e tyre të paligjshme (…) që i mundëson kriminelit t’i shijojë këto fitime pa rrezikuar burimin e tyre”.

Ndërsa fazat e shpëlarjes së parave janë vendosja, shtresimi dhe integrimi, të cilat janë përshkruar në një raport të hartuar nga Njësia e Inteligjencës Financiare në vitin 2020.

Në Kosovë, lufta kundër shpëlarjes së parave bëhet nga disa institucione dhe në mënyra të ndryshme. Këtu përfshihet Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF) që operon në kuadër të Ministrisë së Financave, Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Dogana e Kosovës dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që ndër të tjera bën rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare në Kosovë.

Njësia e Inteligjencës Financiare ka pranuar 960 raporte te transaksioneve/aktiviteteve të dyshimta në vitin 2022 ose mesatarisht 80 në muaj. Bankat përbëjnë numrin më të lartë të RTD-ve, apo 65% në krahasim me sektorët tjerë. Subjektet të cilat raportojnë transaksionet e dyshimta në NJIF janë bankat, agjencitë për transfer të parave, institucionet mikrofinanciare, kontabilistët, noterët, avokatët, etj.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA