Pas tetë muajve në arrest shtëpiak, Dejan Pantic lirohet me dorëzani

Përgatiti: Nora Luta

Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i dyshuar për kryerjen e veprës penale terrorizëm, ndodhet në liri.

Pantiqit i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak më 6 shtator, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e masës më atë të dorëzanisë, duke paguar shumën prej 30 mijë eurosh.

“Me datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit Ljubomir Pantovic, Gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, në mënyrë që me datën 05.09.2023 Gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK-ja ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P., të zëvendësohet me masën e dorëzanisë, sipas nenit 177, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30.000.00 Eurosh”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ai ishte arrestuar më 10 dhjetor të vitit 2022, në pikën kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe kishte qëndruar në paraburgim tri javë.

Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës, megjithatë, sipas avokatit Ljubomir Pantoviç, hetimet ndaj tij janë duke vazhduar.

“Sipas meje, është rast unik që arresti shtëpiak të zgjatë 8 muaj. Dejan Pantiq e ka respektuar me përpikëri këtë masë, askund nuk lëvizte pa përcjellje të policisë. Dy herë iu lejua të shkonte te mjeku pa përcjellje. Sidoqoftë gjykata e ka pranuar kërkesën tonë dhe u lirua me kaucion, meqë procedura ndaj tij vazhdon ende. Është i qasshëm tani për gjykatën e prokurorinë e të gjitha palët relevante”, tha Pantoviç.

Pantiq dyshohet edhe për sulm ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në veri.

Zyra, e cila vazhdon edhe pas më shumë se tetë muajve të jetë e demoluar, ishte sulmuar në prag të organizimit të zgjedhjeve në 4 komunat veriore të Kosovës, të cilat ishin kundërshtuar nga qytetarët serbët, e bojkotuar nga Lista Serbe.

Sulmi i armatosur kishte ndodhur në kohën kur aty është dashur të vendosen anëtarët e KQZ-së për të kryer detyrat e tyre zyrtare.

Katër ditë pas, ishte arrestuar Dejan Pantiq. Arrestimi i tij kishte shkaktuar pakënaqësi te banorët lokalë serbë, të cilët bllokuan për 19 ditë rrugët në veri.

Ndërsa, në fund të dhjetorit për shkak të gjendjes shëndetësore, i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit në arrest shtëpiak.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA