Kapiteni i Barcelonës, Ronald Araujo, është rikthyer në stërvitje me klubin katalanas pas një mungese prej një muaji, që ai e kishte kërkuar për tu përkujdesur për shëndetin e tij mendor. Sipas raportimeve të L’Équipe, uruguaiani 26-vjeçar rifilloi punën në qendrën stërvitore të Barcelonës të hënën, më 29 dhjetor.
Araujo nuk kishte luajtur që nga 25 nëntori, kur u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Chelseat, në humbjen 3-0. Pas këtij momenti, mbrojtësi kërkoi një pushim për të rifreskuar mendërisht, një kërkesë që klubi e pranoi dhe i dha kohë për rikuperim.
Gjatë mungesës së tij, Barcelona ka shënuar progres të dukshëm, duke u rikthyer në krye të La Ligës dhe regjistruar shtatë fitore radhazi në të gjitha garat. Me Andreas Christensen jashtë për shkak të një dëmtimi afatgjatë, Araujo pritet të rikthehet shpejt si titullar nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.
Barcelona do të rikthehet në fushë të shtunën kundër Espanyolit në orën 21:00, ndërsa më pas skuadra udhëton për në Jeddah për të marrë pjesë në Superkupën e Spanjës, ku do të përballet me Athletic Bilbao në gjysmëfinale më 7 janar. Rikthimi i Araujo pritet të forcojë mbrojtjen e katalanasve për këtë sfidë të rëndësishme. /ATVLIVE.TV






