Gjashtë muaj pasi u mbyllën, katër objektet e komunave paralele serbe në Vranisht të Dragashit, Gorazhdec të Pejës, Osojan të Istogut dhe Videjë të Klinës janë jashtë funksionit.
Por ka dyshime që shërbimet që ofroheshin në to, tashmë po vazhdojnë në forma të tjera.
ATV-ja merr vesh jozyrtarisht se, persona me detyrë të caktuar, shërbimet komunale me sistem të Beogradit, po i ofrojnë nëpër disa lokale të gastronomisë. Ata dyshohet se i mbledhin dokumentet e qytetarëve tëkomunitetit serb, dhe më pas i dërgojnë për procesim matanë kufirit në Serbi dhe anasjelltas.
Ndërsa, në një dokument të institucioneve të sigurisë që e kemi parë, thuhet se strukturat ilegale të Serbisë janë duke e zhvendosur administratën, pas mbylljes së komunave paralele. Për këtë, institucionet e Serbisë e kanë blerë një objekt nëRashkë, për të ofruar shërbime administrative për komunat me shumicë serbe në Kosovë, sidomos atyre në veri. Po ashtu, njësoj po ndodh edhe në Kurshumli.
Në dy aksione të ndara, më 26 janar dhe 2 shkurt, me vendim të prokurorisë, policia mbylli komunat paralele në qarkun e Dragashit dhe në atë të Dukagjinit.
Organet e rendit sekuestruan dokumente e pajisje elektronike, ndërsa brenda kishte edhe materiale të fushatës zgjedhore të Listës Serbe.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, konfirmon se dëshmitë mbeten ende të sekuestruara, por që ende nuk është arritur të intervistohen të gjithë shtatë të dyshuarit për këtë rast.
Në një përgjigje me shkrim, qeveria thotë se brenda këtyre gjashtë muajve është rritur interesimi i qytetarëve për t’i zëvendësuar dokumentet dhe shërbimet e strukturave ilegale, me ato të Republikës së Kosovës, përfshirë pasaportat e letërnjoftimet, por edhe konvertimin e patentë-shoferëve.
Aksionet e fillimvitit i kishin përcjellë nga afër dy ministra të qeverisë, Xhelal Sveçla i Punëve të Brendshme dhe Elbert Krasniqi i Administrimit të Pushtetit Lokal. Në paraqitjet e tyre kishin thënë se në Kosovë nuk ka vend për institucionet ilegale të Serbisë.
Për mbylljen e këtyre katër komunave paralele, kishin reaguar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se kjo nxit tensione të reja, si dhe ndikon negativisht në komunitetin serb.
Pas kësaj kohe, qeveria dhe organet e rendit nuk kanë ndërmarrë aksione të tjera, për mbylljen e institucioneve paralele serbe brenda Kosovës./atvlive.tv
Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm: