Pas iniciativës së emisionit n’Frekuencë dhe STUDIO A, grumbullohen 27500 euro për Vjollca Deliu, ajo i dhuron 7500 për një person tjetër

Pas iniciativës së emisionit n’Frekuencë me Robin dhe STUDIO A në ATV, janë grumbulluar 27500 euro për të siguruar protezën e dorës për Vjollca Deliun.

Ajo ka vendosur që shumën prej 7500 eurosh t’ia dhurojë një peroni tjetër, pasi që për protezën e saj i duhen vetëm 20 mijë euro.

Remzi Aliaj nga Ferizaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin n’Frekuencë me Robin, tregoi se është rrugës për me ia dërgu paratë Vjollca Deliut.

Ai tregoi se në këtë iniciativë, ka kontribuar me para edhe një shtetas gjerman me emrin Jonas Torlop, kolegë i vëllait të tij.

Këta janë donatorët që kontribuuan për mbledhjen e 7500€:
Naim Rama 2000 €
Jehon Gashi 2000 €
Sami Aliaj 2000 €
Bekim Rexhaj 500€
Jona Storlop 500€, dhe
Siar Aliaj 500€

Pas iniciativës së moderatorit Robert Bojaj, të premten me 1 dhjetor, nga dëgjuesi i rregullt i emisionit ‘n’Frekuencë me Robin’, mërgimtari Driton Kastrati, tregoi se i vetëm ka nisur t’i mbledhë këto 20 mijë euro, qëllimin e së cilës e ka arritur për një javë.

“Kur e kam dëgjuar së pari rastin, si rast ka qenë shumë i prekshëm i Vjollca Deliut edhe për atë punë kam thënë se duhet me bat ë gjithë nga pak për me ia arritë qëllimin. Kam thënë deri për vit të ri, ishalla e kryj e mbërrij një shumë të caktuar që e mbrrij shumën 20 mijë euro, nuk e kam paramendu kaq shpejt. Por që kryhet për një javë dhe secili donator, familjar që kam shku me kërku, nuk kanë hezitu vetëm e kanë dhënë shumën e duhur aq sa kanë pasë mundësi. Falë donatorëve, shoqërisë edhe disa frekuencerave që më kanë shkru kanë dhënë para dhe ia kemi arritë qëllimit, dmth shuma prej 20 mijë euro është arritur”, thotë Dritoni në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin ‘n’Frekuencë me Robin’ në ATV.

Ai tregon se shumë e fundit prej më shumë se 2000 euro e kanë dhënë dy miq të tij, të cilët janë vëllezër, për ta kompletuar në 20 mijë.

“Në bazë të shënimeve që i kemi nëpër fleta, nëpër donacionet që kam shku nëpër shtëpi dhe i kam mbledhë, për me e arritë qëllimin janë mbledhë 17746 franga që shumën tjetër prej 2254 franga kanë shprehë dëshirën dy shokët e mi që janë dy vëllezër për me e dhanë këtë shumë, me e ba 20 mijë për Vjollca Deliun”, tregoi Dritoni.

Në emision ‘n’Frekuencë me Robin’ u publikuan edhe lista e plotë e donatorëve, të cilët dhuruan para për të siguruar shumën prej 20 mijë euro për Vjollca Deliun.

Vjollca Deliu, me datën 13 nëntor të këtij viti ishte e ftuar në emisionin STUDIO A te Blerona Zeqiri, ku bëri një rrëfim shumë prekës për jetën e saj tejet të vështirë për shkak të gjendjes së saj me aftësi të kufizuara.

Ajo tregoi se është fëmija i vetëm i prindërve dhe se i duhet të përkujdeset për ta, pasi nënën e ka në dializë, ndërsa edhe babain e ka të sëmurë për shkak se është invalid i luftës.

“Mami është pak e sëmurë kurse babi, edhe për të mund të them të njëjtën gjë sepse ai është invalid i luftës, kurse mami në dializë, veshkat nuk i funksionojnë fare, por në përgjithësi po ia dalim. Besomë që nuk e di as vet, besoj që është forca ajo që më jep Zoti sepse besoj shumë në Zot, por po ia dalim me gjithë këto vështirësi. Jam e vetme nuk kam pasur ndihmë nga ndokush që të kujdesët për neve”, rrëfen Vjollca në STUDIO A.

Ajo tregon se këtë problem e ka që nga lindja dhe falë mbështetjes së familjes, mësuesve e profesorëve, i ka tejkaluar bullizimin e paragjykimet ndaj saj.

“Periudha kur kam qenë në shkollë, ka pasur raste kur ka pasur bullizëm, por e kam pasur fatin që i kam pasur prindërit shumë të mirë. Edhe mësuesit, profesorët më kanë mbështetë shumë edhe e kam tejkalu bullizmin, paragjykimet edhe nënçmimet që më janë bërë për shkak se nuk e kam pasur dorën. Këtë e kam kuptu shumë herët, por pjesa kur kam fillu me e pasë kompleks ka qenë prej moshës 26 vjeçare, sepse çdo lloj bullizmi që është bërë ose paragjykim prej personave tjerë që i kam pasur të përkohshëm në jetën tem, i kam taku e kanë lëshu një llaf a një fjalë a diçka, është kalu. Por, kur të vjen prej personave që ti i ke shumë përzemër, ti i do shumë edhe në vend që ti e pret mbështetjen e tyre, ata mundohen me të paragjyku, me të nënçmu në mënyrën më të keqe të mundshme, mandej edhe bullizmin… mandej kjo ka fillu me u ba kompleks, pastaj një kohë të gjatë për tri vjet dhe kam fillu me ra në depresion”, rrëfen mes lotësh Vjollca.

Ajo tregon se është e punësuar, por pjesa e dorës për të është një zbrazëti, të cilën dëshiron me çdo kusht që ta plotësojë.

Me rrogën që e ka, Vjollca thotë se sigurimi i një proteze për dorën e saj është e pa arritshme, pasi që kjo shumë përafërsisht është 20 mijë euro.

Kujtojmë se sot, Vjollca Deliu, jo vetëm që ka siguruar 20 mijë eurot për të siguruar protezën e saj, por ajo tani, shumën shtesë prej 7500 eurosh ka vendosur t’ia dhurojë një personi tjetër në nevojë. /atvlive.tv

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA