Pas Bankës Botërore, Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka hequr Kosovën nga lista e Shteteve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit. Këtë e ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës përmes një postimi në Facebook.
Me këtë rast Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen e thellë ndaj FMN-së për këtë njohje të rëndësishme të progresit institucional dhe qëndrueshmërisë makro-financiare të Kosovës.
BQK-ja ka listuar disa nga përfitimet kryesore që priten për Kosovën pas këtij vendimi, përfshirë stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit, rritjen e besimit të investitorëve dhe uljen e vlerësimeve për rrezik financiar.
Të njëjtin veprim e ka bërë edhe Banka Botërore ditë më parë.