Përgatiti: Pranvera Osdautaj
Parisi ka vendosur të zbatojë rezultatin e referendumit qytetar të 2 prillit, duke larguar përfundimisht skuterët elektrikë nga rrugët, duke nisur nga 1 shtatori.
Të njohura si “trottinettes”, parisienët i shpallën “luftë” atyre dhe tashmë janë gati ti thonë lamtumirë pasi 15 mijë skuterë elektrikë dhe monopatina në qasje të lirë do të zhduken nga rrugët.
Parisi do të bëhet kështu kryeqyteti i parë evropian që ndalon dyrrotakët kaq shumë të diskutueshëm në mbarë botën, për shkak se kanë ndikuar në shtimin e numrit të aksidenteve.
Tre operatorët Dott, Lime dhe Tier Mobility kanë afat deri në 31 gusht për të çliruar plotësisht kryeqytetin francez nga skuterët që do të transferohen në Bordo, Lille, Berlin, Londër, Tel Aviv, Kopenhagë dhe Belgjikë.
Operacioni për zhdukjen e tyre nga qarkullimi do të shkurtojë rreth 100 vende pune.
Skuterët elektrikë të qasshëm nga telefonat inteligjentë nëpërmjet aplikacioneve mbërritën në kryeqytetin francez në vitin 2018 dhe bashkia kërkoi të rregullonte përdorimin e tyre në vitin 2020 me ligje të caktuar, duke kufizuar numrin e operatorëve të autorizuar në tre.
Por pas dy vitesh Këshilli i Qytetit të Parisit inkurajoi qytetarët që të mos i përdornin, duke shprehur keqardhjen që aksidentet ishin rritur me 189% që nga viti 2019.
Më pas në referendumin e bashkisë për heqjen e tyre nga përdorimi, pro ndalimit votuan gati 90% e votuesve që iu drejtuan qendrave të votimit.