Pasojat e luftës në Lindjen e Mesme po ndihen edhe në Kosovë.
Rritja e çmimeve po prek sektorë të ndryshëm, duke përfshirë derivatet e naftës, biletat e transportit ndërurban e po ashtu edhe artikujt ushqimor.
Kryetari i Shoqatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Ekonomia Online thekson se çmimet do të vazhdojnë të rriten, derisa shton se qeveria duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të mbrojtur qytetarët dhe stabilizuar tregun.
Kaçaniku, deklaron se Kosova përballet me mbipopullim të pompave të derivateve të naftës dhe se qeveria ka pak mundësi për të parapenguar ngritjen e çmimeve.
“Shteti tanimë ka shumë pak mundësi për të bërë, për ta parapenguar ngritjen e çmimeve. Që nga legjislaturat e mëparshme ne kemi mbipopullim të pompave të derivateve. Nga 250 sa ka nevojë Republika e Kosovës, e kemi rreth 800. Kemi problem me kontrollin e pompave dhe të cilësisë. Edhe kemi problem ndërqeveritar dhe ndërkonsumatorë, sepse asnjë legjislaturë qeveritare akoma nuk e ka njohur, ose as nuk e njeh qytetarin konsumator, i cili njëherësh është edhe taksapagues i të gjitha këtyre. Ne e financojmë shtetin, e financojmë parlamentin, e financojmë qeverinë, i financojmë ministritë, i financojmë edhe mekanizmat e kontrollit të tregut. E, rëndom, të tregut. Po të kishim treg, tregu do të vepronte si rregullator i çmimeve dhe i furnizimeve. Me vetë faktin se ne akoma nuk e kemi konsoliduar tregun, dëshmohet mungesa e tregut të konsoliduar dhe veprimi kaotik i çmimeve dhe i të gjithë atyre që marrin pjesë në këtë tregtim”, tha ai.
Kaçaniku thotë se Autoriteti i Konkurrencës duhet të veproj dhe të identifikojë të gjithë personat që po prishin kulturën e mirë të qasjes në treg.
“Është e vërtetë se ngritja e çmimeve te emergjentët në veçanti, shkakton efekt domino dhe siç e thatë edhe ju, nxit edhe shtrenjtimin e artikujve të tjerë. Pikësëpari të çmimeve të transportit. Jo të gjithë transportuesit kanë paralajmëruar ngritje të çmimeve. Por këta që e kanë paralajmëruar ngritjen e çmimeve, shihet se janë në konflikt me ligjin për konkurrencën e lirë. Dhe unë shpresoj që Autoriteti i Konkurrencës do të veprojë dhe do t’i identifikojë të gjithë ata që po e prishin kulturën e mirë të qasjes në treg”, u shpreh ai.
Kaçaniku përmendi edhe sektorët të cilët do të pësojnë rritje të çmimeve.
“Ngritje të çmimeve do të ketë. Pra, e nisim me ngritjen e çmimeve të transportit urban dhe ndërurban. Ngritje të çmimeve do të ketë në bujqësi. Ngritje të çmimeve do të ketë në prodhimtarinë vendore, në prodhimin e artikujve themelorë ushqimorë siç është buka e të tjera. Dhe do të jemi të lumtur nëse përfundojmë vetëm me ngritje çmimesh, sepse mungesa e derivateve po vërehet në Gjermani dhe shumë shpejt mund të na ndodhë edhe neve këtu në Kosovë”, theksoi ai.
Ndërsa, i pyetur se a duhet të shtohet numri i inspektorëve për vëzhgimin e situatës në terren, Kaçaniku u shpreh se Kosovës i nevojitën inspektorë të vullnetshëm konform ligjit.
“Shikoni, kjo është frazë, frazë e bajatshme. Ne nuk kemi nevojë për inspektorë shtesë. Ne kemi nevojë për inspektorë të vëmendshëm, të vullnetshëm, të cilët me gjobat e tyre ndikojnë në edukimin e biznesmenëve dhe bizneseve. Jo sa për sy e faqe, sa për të përmbushur një normë në letra dhe në numra. Domethënë, nëse inspektori punon vullnetshëm konform ligjit, ai e edukon abuzuesin që mos të abuzojë më. Nëse një inspektor i kthehet një të dënuari disa herë, do të thotë se janë në konflikt interesi”, potencon ai tutje.
Kaçaniku, nënvizon se nisur nga lufta në Kosovë shteti duhet të ndërmarrë veprime për kursime dhe se duhet ta njeh qytetarin konsumator.
“Në kohë krizash, në këtë momentum kur Kosova është e rrethuar gjithandej me luftëra, kur nuk është shumë larg kur ne e patëm COVID-in, besoj edhe ne para 27 viteve, dje e patëm 27 vjetorin, ishim në luftë. Ne tanimë do të duhej të ishim të vetëdijesuar, të edukuar për kursim. Që mos të befasohemi si Gjermania, ne duhet që tani të edukohemi, të mësohemi të kursejmë. Bashkë me ne si qytetarë konsumatorë, duhet të mësohet edhe shteti të kursejë. Dhe pastaj, nga kjo fazë, të paktën kjo qeveri, për dallim nga legjislaturat e mëparshme, duhet të fillojë ta njohë qytetarin konsumator, taksapagues, sepse asgjë nuk mund të bëjë pa ne dhe as ne nuk mund të bëjmë asgjë pa të”, shtoi Kaçaniku.






