Ati i Shenjtë, Papa Leoni i 14-të, ka pritur të mërkurën presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në rezidencën papale të Castel Gandolfo, afër Romës.
Vizita e Zelenskyt u zhvillua në kohën kur lufta në Ukrainë po hyn në një fazë gjithnjë e më të ndërlikuar, me humbje të mëdha në të dyja anët dhe pa një zgjidhje të afërt në horizont.
Përmes një njoftimi zyrtar, Vatikani ka bërë të ditur se gjatë takimit, palët kanë diskutuar rreth situatës së rëndë në Ukrainë dhe domosdoshmërinë për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Gjatë diskutimeve, rëndësia e dialogut si mënyra më e preferuar për t’i dhënë fund armiqësive është riafirmuar”, thuhet në komunikatën e Vatikanit.
Po ashtu, është theksuar se “Ati i Shenjtë ka përsëritur gatishmërinë e tij për të pritur përfaqësuesit nga Rusia dhe Ukraina në Vatikan, për të zhvilluar negociatat.”
Megjithatë, oferta e Papës për negociata në Vatikan nuk është pritur mirë nga Moska.
Zyrtarë të lartë të Kremlinit kanë refuzuar më herët këtë propozim, duke e cilësuar si të papërshtatshëm. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se “s’është aspak e përshtatshme për dy vende ortodokse që të mbajnë bisedime në tokë katolike.”