Mbi gjashtëdhjetë punëtorë të Telekomit, pritet të dalin në pension deri në fund të vitit 2024.
Rreth 20 prej atyre që do ta përfundojnë angazhimin në këtë kompani publike, janë inxhinierë dhe ekspertë teknikë.
“Është numër më i vogël për shkak se gjeneratat e vjetra të cilat kanë punu si inxhinier dhe janë kthyer në vitin 99 që kanë qenë të larguar prej pune tash të gjithë pjesa më e madhe ka dalë në pension. P:sh për 5 vitet e fundit diku mesatarja vjetore e punëtorëve që shkojnë në pension është 60 persona,vetëm këtë vit i kemi diku rreth 65 persona që presin të dalin në pension dhe sigurisht rreth 22 prej tyre janë inxhinierë.”, tha Lamih Balaj nga Sindikata e Telekomit.
Pavarësisht kësaj, Telekomi nuk ka hapur konkurse tash e disa vjet.
“Në Telekom nuk janë hapur konkurse që 3-4 vjet, sigurisht që duhet me e rifresku stafin, e kam thanë shpesh, ka nevojë Telekomi për njerëz, për gjenerata të reja”, tha tutje Balaj.
Ndërkohë, mbi 300 punëtorë i ishin përgjigjur ofertës për pensionim të parakohshëm dhe largim vullnetar nga puna. As në këtë rast nuk kishte konkurs.
“Gjithsej 302 është numri i të punësuarve që përfituan nga kjo ofertë. Janë aprovuar vetëm kërkesat për rastet kur ka pasur një zëvendësim adekuat brenda kompanisë”, tha Fadil Lepaja, zëdhënës i Telekomit.
Sidoqoftë, ekonomisti Lavdim Hamidi thotë se operatori i parë publik, vazhdon ta ketë gjendjen e rënduar si pasojë e stafit joadekuat.
“Tash po vërehet kriza se Telekomi është pa stafin e nevojshëm teknik, sepse kjo vërehet edhe në mungesë të ofrimit të shërbimeve. Shihet që as në Prishtinë nuk ka rrjet sa duhet e lëre më te flasim për pjesë me të thella të vendit. Ka ikë stafi, ka shku në operator ekonomik etj”, tha Hamidi.
Aktualisht, Telekomi numëron afro 1700 punëtorë./atvlive.tv/