I dyshuar për veprën penale të ushtrimit të ndikimit dhe dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, avokati Besnik Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj prokurorit të rastit Rasim Maloku. Arrestimin e tij e ka quajtur arbitrar, teksa për prokurorin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt tha se ka ndërmarrë veprime të kundërligjshme, e nën direktivat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Pretendimet e Berishës, Ministria e Drejtësisë i ka quajtur shpifje, teksa ka paralajmëruar edhe padi. Shefi i kabinetit në këtë dikaster, Genc Nimoni, ka thënë se Ministria e Drejtësisë qëndron larg dhe e papërlyer në këtë rast që, siç është shprehur ai, do të duhej zhvilluar profesionalisht në Gjykatë.
ATV-ja ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga prokurori Rasim Maloku dhe nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, por nuk kanë kthyer një përgjigje.
Ndërkohë, avokati Besnik Berisha dyshohet nga Prokuroria Themelore e Ferizajt se kishte marrë 11 mijë euro për të organizuar mbrojtjen e dy të dyshuarve për fajde dhe ikje nga tatimi, në rastin Brezovica.
Sipas Prokurorisë, Berisha e kishte ditur se nuk mund të jetë mbrojtës i Gëzim e Salih Sinanit, pasi ishte avokati i një klienti tjetër në po të njëjtin rast.
Pasi u arrestua, me vendim të Gjykatës Themelore të Ferizajt u la në liri, por ia caktoi masën “Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar”, në kohëzgjatje prej një muaji. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: