Ish-presidenti, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët sipas tij, po abuzojnë me përgjegjësitë që i kanë marrë nga qytetarët, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka shprehur indinjatën e tij ndaj faktit se deputetët hynë në sallën e Kuvendit vetëm për pesë minuta dhe më pas u larguan, pa zhvilluar asnjë diskutim apo marrë ndonjë vendim.
“Pa pikë turpi, deputetët e Kuvendit të Kosovës hynë në sallë vetëm për t’u larguar pas pesë minutash, pa diskutim, pa vendim, pa përgjegjësi, por me pagese!!!”, ka shkruar Pacolli.
Ai shtoi se kjo është një tallje e hapur me qytetarët dhe me shtetin, duke i bërë thirrje popullit që të reflektojë mbi zgjedhjet që ka bërë.
“Kjo është tallje me qytetarët dhe me shtetin. Popull, a po e shihni kë keni votuar? A e kuptoni se këta përfaqësues nuk kanë as vullnetin, as guximin, as përgjegjësinë për ta zgjidhur as problemin më të vogël të vendit?”, përfundoi ai.