18.7 C
Pristina
E enjte, 19 Shtator, 2024

Pacientët ende po trajtohen në kushte të këqija në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës

Përgatiti: Sara Shehu

Në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”, vazhdon ofrimi i shërbimeve mjekësore në kushte të vështira. Hapësira e ngushtë dhe infrastruktura e dobët janë problemet kryesore që po e rëndojnë punën në këtë repart.

E që nga viti 2021 ekziston një projekt për ndërtimin e një reparti të ri të hemodializës, por që asnjëherë nuk është realizuar.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit, Hilmi Shala tha se nëse institucionet më të larta shëndetësore, japin dritën jeshile për nisjen e ndërtimit të objektit të ri, pacientët në dializë do të obligohen që këtë shërbim ta marrin në Qendrën e Hemodializës në Rahovec, deri në përfundimin e punimeve.

“Kemi një plan për rregullimin e objektit të ri, por që i kalon mundësitë tona buxhetore. Nëse institucionet vendosin që të ndërtohet ky objekt, atëherë gjatë kohës së ndërtimit, pacientët duhet ta marrin dializën në qendrën e hemodializës në Rahovec. Aktualisht kemi 68 pacientë në dializë, përfshirë 9 nga Shqipëria”, tha Shala.

Megjithatë, disa nga pacientët që i drejtohen spitalit për t’iu nënshtruar dializës, thonë se nuk kanë mundësi financiare të udhëtojnë deri në Rahovec.

“Spitali i ka fajet se u dashtë me këqyr ma herët, qe 20 e diçka vjet. Plus transportin me siguru, dikush s’ka kerr. Ss pensioni s’po m’del, 160 pension i luftës m’del po s’mjafton. boll shqetësuese për këta që s’kanë e ai që s’ka vdes, s’ka qysh shkon”, tha Avdyl Kastrati, pacient.

“Duhet m’u ba zgjidhje, me u ba dializa këtu e jo me shku në Rahovec me marr. Është larg për neve të sëmurët. Është problematike”, tha një tjetër pacient.

Nga ana tjetër, Hemodializa në Rahovec, aktualisht është jashtë funksionit për shkak të punimeve që pritet të zgjasin deri në fund të muajit tetor.

ATV-ja ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, nëse do të bëjnë një zgjidhje për ta lehtësuar trajtimin mjekësor për pacientët në dializë në Gjakovë, por askush nuk ka kthyer përgjigje.

Në Hemodializë të Spitalit të Gjakovës punojnë 11 infermierë dhe 1 mjek.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA