Ylli i Paris Saint-Germain, Ousmane Dembélé, ka larguar çdo dyshim rreth gjendjes së tij fizike para finales së madhe të UEFA Champions League ndaj Arsenal FC, e cila do të zhvillohet më 30 maj në Budapest.
Sulmuesi francez u detyrua të largohej nga fusha në ndeshjen e fundit të PSG-së pas një shqetësimi të lehtë fizik, duke ngritur shqetësime te tifozët për praninë e tij në sfidën më të rëndësishme të sezonit.
Megjithatë, Dembele ka konfirmuar se problemi nuk është serioz dhe se ai do të jetë i gatshëm për finalen.
“Jam mirë, shumë më mirë se të dielën”, deklaroi Dembele në një intervistë për M6.
“Kisha një shqetësim të vogël, por mjeku më tha se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ndjeva një shtrëngim të lehtë në pulpë dhe nuk desha të rrezikoja. Po, do të jem aty më 30 maj, mos u shqetësoni”, u shpreh francezi.
Ky lajm është një shtysë e madhe për skuadrën e drejtuar nga Luis Enrique, e cila synon ta fitojë për herë të dytë në histori trofeun e Ligës së Kampionëve.
Dembele ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të PSG-së këtë sezon, duke dhënë kontribut vendimtar në rrugëtimin e klubit francez drejt finales evropiane.





