Osmani: Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po vepron si dorë e zgjatur e përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, por nuk e përsëriti deklaratën e mëparshme për rolin e pretenduar të presidentit amerikan, Donald Trump, në parandalimin e një përshkallëzimi të situatës nga Serbia në Kosovë.

Duke folur të martën në Rigë të Letonisë, përkrah presidentit letonez, Edgars Rinkeviç, Osmani e hodhi poshtë nocionin e “tensioneve” mes Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur situatën si agresion nga njëra palë dhe vetëmbrojtje nga tjetra, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se cili është roli i Rusisë në tensionet dhe përshkallëzimet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk duhet ta fusim kurrë agresorin dhe viktimën në të njëjtin thes. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne mbrohemi vazhdimisht,” tha Osmani.

“Ne kurrë nuk kemi pushtuar ose sulmuar, madje as edhe një centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tonë, ta mbrojmë integritetin tonë territorial, ta mbrojmë paqen dhe lirinë, që janë fituar me shumë sakrificë”, tha presidentja e Kosovës.

Ditëve të fundit, ajo foli në disa raste për përshkallëzimin e mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Gjatë një ligjërate në Uashington më 10 korrik, Osmani tha se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Ajo tha se ka “informacione të besueshme” se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

Kjo deklaratë shkaktoi kritika nga Richard Grenell, i dërguari i Trumpit për misione speciale.

Ai e akuzoi Osmanin për “manipulim” të fjalëve të Trumpit.

“Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020, përmes Marrëveshjes së Uashingtonit. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi se ka ndodhur diçka e re është absurd,” shkroi Grenell në X.

Çfarë tha Trump?
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Pastaj, në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë më 29 qershor, ai tha se, në muajt e fundit, SHBA-ja ka ndaluar ose parandaluar konflikte midis disa palëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën.

“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi”, tha Trump, duke shtuar se kërcënimi për pezullimin e tregtisë kishte funksionuar në parandalimin e saj.

Pastaj, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.

Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për sqarime shtesë, por nuk mori përgjigje.

Pyetjeve të REL-it se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhej fjalë, nuk iu përgjigj as Qeveria në detyrë e Kosovës e as Ministria në detyrë e Punëve të Brendshme.

I pyetur nga gazetarët për këtë çështje më 15 korrik, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha shkurtimisht: “Ne jemi jashtëzakonisht falënderues për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgjatë gjithë historisë së Republikës së Kosovës”.

Përshkallëzimi i fundit i madh në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic.

Prishtina e cilësoi atë si sulm terrorist të orkestruar nga Serbia – një akuzë që Beogradi e mohoi.

Pas komenteve të Grenellit, ekipi i Osmanit paralajmëroi se presidentja do të mbajë një konferencë për shtyp, pasi të kthehet nga udhëtimi.

Duke folur në Rigë, Osmani po ashtu tha se ndikimi i Rusisë në Kosovë “është zero”.

“Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për shtetin tonë fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet nën ndikimin e Rusisë – qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak. Përmes këtij ndikimi në Serbi, Rusia përpiqet të shkaktojë pasoja destabilizuese edhe më gjerë në rajon, sepse sa më shumë të destabilizohet Evropa, aq më shumë u shërben interesave të Rusisë”, tha Osmani.

Ajo theksoi se Kosova do të punojë ngushtë me aleatët në Bashkimin Evropian dhe në NATO, përmes masave të frenimit dhe parandalimit, me qëllim që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të cilat kryhen përmes Serbisë, të mos ketë sukses./REL

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA