Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për kontributin e tij të veçantë në afirmimin dhe zhvillimin ndërkombëtar të futbollit kosovar.
Ceremonia e dekorimit u mbajt të mërkurën në Prishtinë, ndërsa sot presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj publike për Infantinon përmes një postimi në Facebook.
“President Gianni Infantino, Kosova do ta kujtojë gjithmonë që qëndruat përkrah nesh në kohë vendimtare. Ju besuat në potencialin tonë dhe në fuqinë bashkuese të sportit, në një kohë kur vetë besimi kërkonte guxim!”, ka shkruar Osmani.
Ajo e cilësoi Infantinon si mik të vërtetë të sportit dhe të shtetit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së tij në një periudhë të rëndësishme për zhvillimin e futbollit në vend.
“Infantino është një mik i vërtetë i futbollit, njashtu edhe i Kosovës”, shtoi Osmani.