Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas takimit me liderët politikë ka thënë se ka optimizëm minimal që të dilet nga ngërçi politikë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ajo para mediave tha se ‘tymi i bardhë’ do të dalë kur të konstituohet Kuvendi, përcjell Telegrafi.
“Pavarësisht dallimit në qëndrime diskutimi ka qenë me respekt të ndërsjellë. ‘Tymi i bardhë’ do të dalë vetëm atëherë kur të kemi konstituim të Kuvendit. Vullnet ka për të gjetur zgjidhje përpara dhe për të dëgjuar ide të reja”, ka thënë Osmani.
Osmani tha se pa u konstituuar Kuvendi nuk mund të shkohet në zgjedhje.
“Sa i përket zgjedhjeve të gjithë jemi pajtuar që ato mund të jenë në disa raste…për momentin pa konstituim të Kuvendit nuk mund të shkohet në opsionet për zgjedhje, pasi fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi. U fol se nëse shkohet shumë gjatë atëherë liderët duhet të ulen dhe të pajtohen për zgjedhje, por fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi”, sqaroi Osmani.