Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet që i ka marrë nga Ohri

U prit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake nga homologu maqedonas, Stevo Pendarovski. Presidentja Vjosa Osmani vizitën në Maqedoni të Veriut e filloi duke falënderuar shtetin fqinj për votën pro për pranimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Rrjedhimisht kërkoi që Serbisë t’i bëhet presion t’i respektojë marrëveshjet e Brukselit.

“Shpresoj shumë që miqtë dhe aleatët tanë do të sigurohen që të bisedojnë gjatë kësaj periudhe, të bëjnë presion mbi Serbinë, në mënyrë që edhe ajo t’i respektojë obligimet që janë marrë nga ky proces, i cili mendoj që ka qenë një hap i rëndësishëm ku Kosova dhe Serbia trajtohen nga aspekti i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si dy palë të barabarta sa u përket raporteve ndërshtetërore ku të dyja palët e njohin sovranitetin, në këtë rast Serbia e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Pendarovski nuk e fshehu dëshirën që ky proces të përfundojë sa më shpejt.

“Zgjidhjet e Marrëveshjes së Ohrit mund të reflektohen në një marrëveshje të ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë, pra këtu ka modele të kohabilitimit brenda në shtet, dhe midis shteteve, të cilat mund të shfrytëzohen. Por vendimin final çka do të pranojnë në atë dialog, kuptohet e kanë organet legjitime në Beograd dhe në Prishtinë. Ne këtu jemi vetëm fqinjë të mirë, të cilët duan që sa më parë të shohin fundin e këtij kontesti të gjatë që objektivisht e ngadalëson bashkëpunimin rajonal që është shumë i rëndësishëm, si përgatitje për integrimin e tërësishëm në strukturat euroatlantike”, tha Pendarovski.

Derisa ky ishte takimi i katërt mes Osmanit dhe Pendarovskit gjatë dy vjetëve, ata diskutuan pak edhe rreth pozitës së komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, me ç’rast presidentja kërkoi më shumë investime në komunat shqiptare.

“Të prirë nga vizioni për mirëqenie të shtuar e me qëllim të kapërcimit të sfidave socio-ekonomike me të cilat po ballafaqohet i gjithë rajoni ynë, rritja e investimeve dhe në vendbanime ku jetojnë shqiptarët dhe fuqizimi edhe më shumë i njësive të vetëqeverisjes lokale me kapacitete dhe financa, shpresoj të shihet si prioritet. Në këtë mënyrë krijohen mundësi shtesë që qytetarëve t’u ofrohen shërbime sa më cilësore, si dhe të garantohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e vendit”, theksoi Osmani.

Agjenda e presidentes Osmani në ditën e parë të qëndrimit në Shkup ishte shumë e ngjeshur. Përpos presidentit Pendarkovski, ajo takoi edhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, e pastaj iu drejtua me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Përpos takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ajo merr pjesë edhe në përurimin e një rruge të emërtuar “Ibrahim Rugova” në komunën e Çairit.
Të enjte, Osmani do ta vizitojë Tetovën. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA