15.8 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

Organizatat për të pagjeturit kërkojnë të nisin gërmimet në disa lokacione në Kosovë e në Serbi

Që nga paslufta, Qendra Burimore për të Pagjetur, Shoqata për të Pagjetur, në Shtërpcë dhe ajo në Graçanicë, punojnë për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që u zhdukën gjatë luftës.

Por, udhëheqësit e tyre thonë se përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë, nuk i konsultuan fare për deklaratën për të zhdukurit me forcë, gjatë periudhës 98 – 99, të dakorduar në Bruksel.

“Për marrëveshjen më ka njoftuar veç Andin Hoti, madje me shkrim. Për të tjera jemi njoftuar nga mediat. Kemi kërkuar të jemi pjesë e procesit, por kjo s’ka ndodhur”, tha Bajram Qerkinaj nga Qendra Burimore për të Pagjeturit.

“Ne nuk jemi konsultuar fare për dakordimin që është arritur në Bruksel. Ne kemi mësuar vetëm kur e kemi parë nëpër media”, tha kryetarja e Shoqatës së të Pagjeturve në Shtërpcë, Jasmina Zivkoviç.

Përfaqësuesit e organizatave kritikojnë politikën për zvarritjen e procesit në nisjen e gërmimeve në disa lokacione, qoftë në Serbi ku dyshohet se ka varreza masive të shqiptarëve, qoftë në Kosovë ku dyshohet se ka të tilla të serbëve.

“Në Sigjenicë janë nisur 20 kamionë. Ende nuk dihet për fatin e tyre. Duhet të nisin gërmimet”, tha Qerkinaj.

“Duhet të fillojnë gërmimet në Koshare, por kjo nuk po ndodh. Në fakt përmenden gjithsej 9 lokacione në Kosovë, por me siguri se janë më shumë”, tha Zivkoviç.

Ndërsa, Silvana Marinkovic nga Shoqata për Personat e Zhdukur të Graçanicës, e cila e ka burrin të zhdukur, zvarritjen e lidh edhe me procesin gjyqësor në Hagë.

“Gjykata Speciale ka filluar punën. Po të bëheshin gërmimet në 9 lokacionet në Kosovë dhe të identifikoheshin mbetjet mortore në Morgun e Prishtinës, do kuptohej shumëçka. Por kjo nuk i konvenon politikës e as atyre që po gjykohen në Hagë”, tha ilvana Marinkovic nga Shoqata e Personave të Zhdukur të Graçanicës.

Por me këtë nuk u pajtua Bajram Qerkinaj nga Qendra Burimore për të Pagjeturit.

“U tha që kriminelët janë në Hagë, por jo, nuk është e vërtetë. Ata që po gjykohen në Hagë, nuk mund të krahasohen me ata që i çuan dhe i varrosën 800 persona në Batajnicë”, tha Qerkinaj.

Në takimin e dy majit, Kosova e Serbia u dakorduan për Deklaratën për të Zhdukurit me Forcë, e cila i obligon palët ta rrisin bashkëpunimin, e t’ia vënë në dispozicion njëra-tjetrës dokumentet ekzistuese, që mund të ndihmojnë për t’u gjetur të zhdukurit. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA