14.4 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

Opozita s’e pret, dështon raportimi i Bislimit në Komision

Përgatiti: Fatlum Jashari

Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, nuk u paraqit për raportim lidhur me dialogun në Komisionin për Punë të Jashtme, në asnjërin nga dy terminet e konfirmuara.

Në mbledhjen e komisionit, që kishte vetëm një pikë në rend dite, nuk u paraqitën as pesë nga gjashtë deputetët e koalicionit qeverisës, duke pamundësuar kuorumin.

Pasi pritën afër 15 minuta përtej terminit të dytë të konfirmuar, katër deputetët opozitarë, anëtarë të komisionit u larguan nga salla.

Teksa akuzoi opozitarët për bojkot, kryesuesja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila ishte e vetmja deputete e Vetëvendosjes që u paraqit në sallë, mbrojti mos-paraqitjen e Bislimit dhe mungesën e bashkë-partiakëve të saj deputetë.

“Nuk ka standard ose praktikë për këtë punë, sepse ka raste të shumta kur ne i presim sepse janë në pozita të atilla… Një deputete e jona është jashtë vendit në një trajtim shëndetësor, ndërkohë meqenëse shumica e deputetëve udhëtojnë ndoshta kanë pasur problem me trafikun”, tha Kryeziu-Hyseni.

Pasi tha se anëtarët nuk kanë pranuar asnjë dokument apo raport për përgatitje paraprake për mbledhjen, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se me mos-paraqitje për raportim zëvendëskryeministri ka bërë shkelje ligjore.

“Që nga fillimi i këtij mandati kemi dy apo tri raportime. E dimë sa shumë çështje të rëndësishme kanë ndodhur dhe ne nuk kemi asnjë informatë. Të gjitha ato që i marrim janë përmes Twitterit apo platforma tjera të rrjeteve sociale, që nuk mendoj se është korrekte sepse, tek e fundit, politika e jashtme dhe dialogu janë më shumë politika nacionale, sesa politikë që ne si PDK preferojmë të fitojmë vota apo t’i trajtojmë si politika lokale”, tha Musliu-Shoshi.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, akuzoi zëvendëskryeministrin Bislimi për mungesë transparence dhe ikje nga përgjegjësia.

“Duhet me ardhë me raportu, sepse është zëvendëskryeministër fundja, dhe e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë mbledhje. E ka konfirmuar për në orën 9, e ka shtyrë për orën 10. Ne kemi seancë në orën 11, në qoftë se dikujt i duket krejt e natyrshme që t’i mbledhë 5-6 deputetë të presin kot dhe të mos vijë, atëherë mendoj se standardet e Kuvendit i kemi të ndryshme”, tha Kica-Xhelili.

Kryesuesja Kryeziu-Hyseni paralajmëroi mundësinë që zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, të ftohet për raportim sërish javën e ardhshme.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA