Uria globale po arrin nivelin më të lartë në vite, ndërsa ndihma humanitare ushqimore e Kombeve të Bashkuara po zvogëlohet për shkak të një rënieje të ndjeshme të fondeve, paralajmëron OKB.
“Uria e rëndë është dyfishuar dhe në dy vende është shpallur gjendje zie buke. Të njëjtat vende janë bllokuar në një cikël shkatërrues urie, të nxitur nga konflikti dhe të përkeqësuar nga mungesa e fondeve”, tha drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të OKB-së, Cindy McCain, sipas Politico.
Raporti paralajmëron se kjo shifër ndoshta nuk pasqyron situatën reale në terren, pasi 18 vende nuk kishin të dhëna të përdorshme, gjë që përfaqëson nivelin më të ulët të mbulimit në dekadën e fundit.
Për herë të parë në historinë dhjetëvjeçare të raportit, uria është konfirmuar njëkohësisht në Gaza dhe Sudan, si rezultat i konfliktit dhe aksesit të kufizuar në ndihmë humanitare.
Konflikti ka qenë një shkaktar kryesor i urisë në 19 vende, ku më shumë se 147 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë emergjente ushqimore, që përfaqëson më shumë se gjysmën e totalit global.
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po prish tashmë tregjet globale të plehrave dhe energjisë, duke i rënduar më tej vendet që varen nga importet e ushqimit, të cilat tashmë ishin në krizë, shtohet në dokument.
Sipas një raporti gjithëpërfshirës të OKB-së, numri i njerëzve në fazat më kritike të urisë akute është rritur ndjeshëm që nga viti 2016, edhe pse fondet për të adresuar problemin kanë rënë.
Rreth 1.4 milion njerëz ishin në prag të urisë vitin e kaluar në gjashtë vende dhe territore, krahasuar me 155,000 në vitin 2016, sipas Raportit Global mbi Krizat Ushqimore të botuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së dhe Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së.
Shpenzimet humanitare dhe të zhvillimit për krizat ushqimore kanë rënë në nivelet e viteve 2016-2017, me ndihmën amerikane që ka rënë me pothuajse 57 për qind vitin e kaluar dhe ulje të konsiderueshme në Gjermani, Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Raportohet se përqindja e popullsisë që përballet me nivele të larta të urisë akute është pothuajse dyfishuar gjatë së njëjtës periudhë.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së humbi më shumë se 2.6 miliardë dollarë në fonde dhe 6,000 vende pune vitin e kaluar pasi administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump shkurtoi agjencinë kryesore të ndihmës së jashtme të SHBA-së, USAID, ndërsa agjenci të tjera të OKB-së, përfshirë FAO-n, u goditën gjithashtu rëndë.






