OKB-ja ka bërë thirrje për ndihmë 294 milionë dollarësh për mbi një milion njerëz në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.
“Thirrja kërkon përafërsisht 294 milionë dollarë amerikanë për 77 partnerë humanitarë për të adresuar nevojat më urgjente të 1,260,000 njerëzve në Gaza dhe Bregun Perëndimor”, thanë nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) të enjten.
Thirrja bashkon punën dhe kërkesat e financimit të komunitetit humanitar në rajon, duke përfshirë 13 agjenci të OKB-së, 29 organizata ndërkombëtare joqeveritare (INGO), 35 OJQ kombëtare dhe Shoqërinë e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS).
“UNRWA (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt) luan një rol unik në OPT, duke shërbyer si ofruesi kryesor i drejtpërdrejtë i shërbimeve bazë – arsimit, shëndetësisë, ndihmave dhe shërbimeve sociale, mbrojtjes, infrastrukturës së kampeve dhe përmirësimit dhe ndihmës emergjente – për 1.5 milionë refugjatë palestinezë të regjistruar në Gaza”, shtoi OCHA.
“Në Bregun Perëndimor, UNRWA u shërben 1.1 milionë refugjatëve palestinezë dhe personave të tjerë të regjistruar, nga të cilët 890,000 janë refugjatë”, thuhet në deklaratë.
Të premten, OCHA tha se numri i palestinezëve të zhvendosur në Gaza është rritur në më shumë se 423,000 mes luftimeve të intensifikuara.
Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të qëndrueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, një përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi Operacionin ‘Al-Aksa Flood’ kundër Izraelit, një sulm i papritur i shumëfishtë duke përfshirë një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin ‘Shpatat e Hekurta’ kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.
Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim gjymtues që nga viti 2007. (AA)