Oda Ekonomike Amerikane: Gazi i lëngshëm natyror amerikan duhet të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (LNG) dhe zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme të gazit ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar. Përveç përfitimeve ekonomike dhe energjetike, një orientim i tillë do të forconte edhe më tej bashkërendimin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerin e saj më të rëndësishëm strategjik.

Nw njw komunikatw pwr media thuhet se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet në masë të madhe në termocentralet e vjetruara me linjit, ndërsa importi i energjisë elektrike vazhdon të jetë barrë e konsiderueshme për ekonominë. Remontet e planifikuara të kapaciteteve ekzistuese gjeneruese, rritja e kërkesës për energji dhe ekspozimi gjithnjë e më i madh ndaj luhatjeve të tregut e theksojnë edhe më shumë nevojën për një miks energjetik më të diversifikuar dhe më rezistent.

Oda Amerikane rikujton se projekte të rëndësishme të infrastrukturës së LNG-së dhe të ndërlidhjes energjetike po zhvillohen në mbarë Evropën Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për shtetet që të sigurojnë qasje në burime të diversifikuara të gazit dhe të forcojnë sigurinë e tyre energjetike. Ndërsa vendet fqinje po pozicionohen brenda këtyre korridoreve të reja energjetike, Kosova rrezikon të mbetet jashtë një arkitekture rajonale që po bëhet gjithnjë e më përcaktuese për konkurrueshmërinë ekonomike dhe sigurinë afatgjate të furnizimit.

Sfida me të cilën përballet Kosova nuk është më disponueshmëria e furnizimit, por gatishmëria e vendit për ta shfrytëzuar atë. Kjo kërkon investime strategjike në infrastrukturë, modernizimin e kornizës ligjore dhe rregullatore për gazin natyror, si dhe angazhim më të fuqishëm me partnerët strategjikë. Investimi në infrastrukturën që mundëson qasjen në LNG nga SHBA-ja do të kontribuonte edhe në forcimin e bashkërendimit strategjik të Kosovës, në një kohë kur siguria energjetike dhe siguria gjeopolitike janë gjithnjë e më të ndërlidhura.

Përtej forcimit të sigurisë energjetike, qasja në gaz do të ndihmonte në uljen e varësisë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike, do të ofronte fleksibilitet më të madh për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe do të rriste konkurrueshmërinë e industrive të Kosovës në një kohë kur kërkesat rregullative të Bashkimit Evropian, që lidhen me emetimet e karbonit po bëhen më rigoroze dhe si të tilla do të afektojnë eksportuesit.

Rrjedhimisht, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Qeverisë që të demonstrojë vullnetin politik duke ndërmarrë hapa konkretë drejt integrimit të Kosovës në rrjetet rajonale të gazit. Mungesa e veprimit rrezikon të zgjasë cenueshmërinë energjetike të vendit dhe të kufizojë potencialin e tij ekonomik, ndërsa veprimi në kohë mund të ndihmojë në sigurimin e një të ardhmeje energjetike më të qëndrueshme, më konkurruese dhe më të sigurt.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA