Përgatiti: Entela Sahiti
Kështu i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, lidhur me kërcënimin e fundit të presidentit serb, i cili aludoi në pushtim të Kosovës “në një moment të duhur”.
Duke thënë që të dyja shtetet duhet t’iu shmangen tensioneve, O’Brien ka kërkuar përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Sa i përket tensioneve, ne e dimë se e ardhmja për të dyja vendet është në Bashkimin Evropian dhe ekonominë globale. Ne po punojmë me dy qeveritë për të parë se kjo është e mundur. Çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet, edhe ato që ndërlidhen me ushtrimet e ushtrisë përreth kufirit. Duhet përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit dhe presim që kjo të ndodhë shpejt. Qeveria serbe ka ndërmarrë disa hapa për këtë. Mirëpresim lëvizjen e trupave ushtarake prapa dhe bashkëpunim në hetim. Por këto nuk mjaftojnë!”, tha O’Brien.
O’Brien ka folur edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai nuk është tërhequr nga kushti për zbatimin e Asociacionit dhe ka thënë se pret që në ditët në vijim, Qeveria e Kosovës të marrë vendime që janë në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve.
“Njëra prej tyre ka qenë përparimi që është bërë lidhur me kontestin për tokën rreth Manastirit të Deçanit, dhe i kemi mirëpritur publikisht hapat që ka marrë Qeveria për të… por është thënë, po ashtu, që Kosova duhet të bëjë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës të trajtojë këtë pikë, dhe të jetë zbatuar para se Këshilli i Ministrave të votojë për punën e anëtarësimit”, tha O’Brien.
Për kërkesat e ndërkombëtarëve ka folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë. Jeff Hovenier tha se rruga e vetme e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike është dialogu.
“Nuk ka rrugë tjetër dhe posaçërisht zbatimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog, kjo nuk është e negociueshme. Nga kjo Qeveri e Kosovës, ashtu sikurse edhe nga qeveritë paraprake, presim që të punojë në partneritet me ne, derisa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multientike dhe të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Hovenier.
Porositë e amerikanëve drejtuar Qeverisë vijnë në kohën kur raportet në mes të dy vendeve janë tendosur për shkak të rregullores së BQK-së për dinarin.