O’Brien: Presim që qeveria e re serbe t’i përmbahet marrëveshjes me Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga qeveria e ardhshme e Serbisë, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe rrugën drejt integrimit evropian, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

“Populli serb do të votojë si të dojë. Ne presim që qeveria t’i përmbahet marrëveshjes që ka bërë në lidhje me Kosovën”, tha O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës, shkruan REL.

Ai tha se në muajt e fundit është shënuar progres për çështjen e Kosovës, duke shtuar se “disa nga çështjet kryesore kontestuese kanë filluar të zgjidhen, si ajo e targave, doganave…”.

Zyrtari amerikan tha se duhet bërë progres i mëtejshëm dhe vuri në dukje se e ardhmja e Ballkanit qëndron në tregun e përbashkët evropian dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Për t’u bashkuar me të vërtetë në tregun e përbashkët evropian, të dyja palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, të njohin kufijtë dhe të pajtohen për bashkëpunim. Ne presim që ata të punojnë përsëri – duke filluar me angazhimet që ata tashmë i kanë bërë”, tha O’Brien.

Derisa ka folur për vazhdimin e negociatave për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, O’Brien tha se ShBA-ja pret ulje të tensioneve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

“Është një zonë ku forcat e KFOR-it, NATO-s janë forcuar. Dhe, misioni evropian, EULEX, gjithashtu ka qenë shumë aktiv kohën e fundit. Prandaj, asnjëra palë nuk ka arsye të shkaktojë tensione atje dhe ajo zonë duhet të qëndrojë e qetë”, tha ai.

Gjendja në veriun e Kosovës, vendi i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.

Më 24 shtator, gjendja u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

Kthimi i serbëve në institucionet publike është një nga hapat që O’Brein përmendi për uljen e tensioneve.

“Qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në atë rajon duhet të mirëpriten përsëri në institucionet publike dhe kjo do të zvogëlojë tensionet. Dhe, pastaj, sinqerisht, të dyja palët kanë një punë të madhe për të bërë, për t’u siguruar që të vazhdojnë rrugën e normalizimit për të cilën u pajtuan në mars, në Ohër. Kështu që ka punë për t’u bërë”, tha ai.

O’Brien tha gjithashtu se ShBA do të vazhdojë të theksojë se sa e rëndësishme është “përfundimi i kësaj pune në muajt e ardhshëm”.

“Ekonomitë e tyre tashmë janë të lidhura me Bashkimin Evropian dhe tani ata duhet të zbatojnë reforma dhe të angazhohen për të qenë pjesë e atij komuniteti. Dhe derisa e bëjnë këtë, unë mendoj se tensionet do të ulen dhe ata do të kenë një marrëdhënie më të madhe”, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA