Kalo te përmbajtja
Të fundit

“Nuk të pranoj më”- IPK nis hetimet për trajtimin policor të rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

“Nuk të pranoj më”- IPK nis hetimet për trajtimin policor të rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar rastet e raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.

Ky veprim i IPK-së vjen pas raportimeve në media për mënyrën se si Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga policia.

Reklamë

Në media janë bërë publike fjalët e saj drejtuar një zyrtari policor, përfshirë shprehjen: “Faruk, jam lodh, të lutem”, si dhe pretendimin se polici i kishte thënë: “Nuk të pranoj më”.

Në përgjigjen për Telegrafin, IPK ka konfirmuar se veprimet po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të verifikimit të plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të Arlindës.

“Qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

IPK ka bërë të ditur se gjatë këtij procesi do të shqyrtojë edhe të gjitha shqetësimet e ngritura në media, përfshirë komunikimin e zyrtarëve policorë me viktimën dhe kohën e reagimit ndaj raportimeve të saj.

“Në kuadër të këtij procesi, IPK do të shqyrtojë edhe të gjitha shqetësimet e ngritura në media lidhur me veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë përgjegjës, përfshirë, por pa u kufizuar, edhe komunikimin me viktimën, kohën e reagimit dhe secilin raportim që ndërlidhet me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e institucionit.

Inspektorati ka theksuar se do të punojë në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë për të siguruar trajtim profesional, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të rastit.

“IPK mbetet e përkushtuar që, në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, të sigurojë trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje, në përputhje me mandatin ligjor dhe duke respektuar integritetin e procesit hetimor”, thuhet më tej në përgjigje.

Hetimet synojnë të sqarojnë nëse zyrtarët policorë kanë vepruar në përputhje me detyrimet ligjore dhe procedurat përkatëse, si dhe nëse ka përgjegjësi eventuale individuale apo institucionale në trajtimin e raportimeve të Arlinda Zekajt.

Reklamë

Kolegji AAB – ne fund pas kutise ‘mos e humb as nje lajm’