Kalo te përmbajtja
Të fundit

Musliu kërkon llogaridhënie institucionale pas vdekjes së Arlinda Zekajt – paraqet tri masa konkrete

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Musliu kërkon llogaridhënie institucionale pas vdekjes së Arlinda Zekajt – paraqet tri masa konkrete

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar pas vdekjes së Arlinda Zekajt, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.

Musliu ka kritikuar mënyrën se si institucionet e trajtojnë dhunën në familje, duke theksuar se dështimi për të zbatuar ligjet dhe për të reaguar ndaj rasteve të rrezikut mund të çojë në pasoja tragjike. Ajo ka kërkuar gjithashtu llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.

Reklamë

“Vdekja e Arlinda Zekaj nuk është thjesht një tragjedi familjare, ajo është dëshmia më e dhimbshme e sistemit tonë. Kosova sot po jeton brenda një paradoksi të rëndë juridik. Kemi një Kushtetutë që përfshin Konventën e Stambollit, por kemi varre në praktikë”, ka deklaruar Musliu.

Ajo ka bërë të ditur se të martën kishte kërkuar që drejtori i Policisë të ftohej në Komisionin për Çështje të Sigurisë, për të raportuar lidhur me rastin, por sipas saj, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kishin votuar kundër kësaj kërkese.

“Unë pyes sot para jush: nëse nuk kërkojmë llogari për një grua që humb jetën, atëherë kur duhet të kërkojmë llogari?”, ka pyetur deputetja e PDK-së.

Në reagimin e saj, Musliu ka theksuar se dhuna ndaj grave nuk fillon domosdoshmërisht me sulme fizike, por shpesh nis me kontrollin, presionin dhe normalizimin e heshtjes brenda familjes.

Sipas saj, shoqëria duhet të refuzojë mentalitetet që e arsyetojnë dhunën në emër të traditës dhe të mos e barazojë sjelljen e dhunuesve me kulturën e shoqërisë kosovare.

“Dhuna ndaj grave fillon shumë më herët, ajo fillon kur kontrolli quhet kujdes. Kur një gruaje i kërkohet të durojë për hir të familjes, kur heshtja konsiderohet më e rëndësishme se siguria e saj”, ka thënë Musliu, përcjell Telegrafi.

Ajo ka shtuar se dhunuesit nuk e përfaqësojnë kulturën e Kosovës, duke i cilësuar ata si kriminelë që nuk duhet të arsyetohen apo të humanizohen përmes justifikimeve shoqërore.

“Ne nuk duhet ta stigmatizojmë Kosovën si shoqëri që i urren gratë. Por duhet ta themi me zë të lartë se dhunuesit nuk e përfaqësojnë kulturën tonë. Ata janë thjesht kriminelë që nuk meritojnë humanizim”, ka deklaruar ajo.

Musliu ka paraqitur edhe tri kërkesa që, sipas saj, duhet të ndërmerren urgjentisht për të parandaluar raste të tjera të dhunës ndaj grave dhe për të rritur përgjegjësinë institucionale.

Së pari, ajo ka kërkuar rishikimin urgjent të rasteve me rrezikshmëri të lartë, duke theksuar nevojën për koordinim të menjëhershëm ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe shërbimeve sociale, me qëllim identifikimin dhe mbrojtjen e grave që ndodhen në rrezik.

Sipas Musliut, urdhrat e mbrojtjes duhet të zbatohen në praktikë dhe të garantojnë siguri reale për viktimat, e jo të mbeten vetëm dokumente formale.

Së dyti, ajo ka kërkuar specializim më të madh të institucioneve dhe llogaridhënie për zyrtarët që neglizhojnë rastet e dhunës në familje. Musliu ka theksuar se trajtimi i këtyre rasteve kërkon ekipe të specializuara brenda Policisë, të afta për të vlerësuar rrezikun dhe për të ndërhyrë me kohë.

Ajo ka kërkuar që prokurorët, gjyqtarët dhe punonjësit socialë që neglizhojnë sinjalet e dhunës të përballen me masa të rrepta, duke përfshirë shkarkimin dhe ndjekjen penale, kur plotësohen kushtet ligjore.

Së treti, deputetja e PDK-së ka kërkuar reformë ligjore dhe buxhetore, përfshirë rishikimin e politikave për adresimin e vrasjeve të grave për arsye gjinore dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për strehimoret që ofrojnë mbrojtje për viktimat e dhunës.

Përmes këtyre kërkesave, Musliu ka bërë thirrje që institucionet të kalojnë nga deklaratat në veprime konkrete, duke vënë në qendër sigurinë e grave dhe përgjegjësinë për çdo neglizhencë institucionale.

Ajo ka theksuar se parandalimi i dhunës ndaj grave kërkon zbatim të ligjit, koordinim ndërinstitucional dhe reagim të shpejtë ndaj çdo sinjali rreziku, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten. /Telegrafi/

Reklamë

Kolegji AAB – ne fund pas kutise ‘mos e humb as nje lajm’