Kanë përfunduar takimet bilaterale të Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ndaras me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, pa një takim trilateral.
Kështu konfirmoi për ATV-në, shefi i kabinetit të Bislimit, Klisman Kadiu.
“Kanë përfunduar takimet, kemi patur vetëm takim bilateral me Lajçakun dhe jo takim trilateral. Te komunikata do të sqarojmë më gjatë”, tha Kadiu.
Një ditë më parë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar se në rundin e radhës do të diskutohen mënyrat si të shkohet tutje me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër në mars të vitit 2023, si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat sipas Stanos, po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.






