Përgatiti: Krenare Mulliqi
Agjencia e Statistikave e Kosovës nuk e ka shqiptuar asnjë gjobë ndaj qytetarëve për refuzim të regjistrimit të popullsisë, meqë thotë se nuk ka ndodhur asnjë rast i tillë në terren.
Gjoba nuk do të ketë as për banorët serbë që e bojkotuan procesin.
Eksperti i angazhuar nga UNDP, Mazllum Baraliu, e bën dallimin mes refuzimit dhe bojkotit të regjistrimit, prandaj thotë se serbët e veriut nuk e kanë shkelur ligjin.
Madje, thotë se nuk iu shkuan as nëpër shtëpi banorëve të veriut, siç qe praktika në pjesë të tjera të territorit.
Këtë qasje e kritikon politologu Fidan Ukaj, që thotë se ligji duhet të zbatohet për të gjithë njësoj, përfshirë edhe komunitetin serb në Kosovë.
Gjobat për refuzim të regjistrimit parashiheshin të jenë nga 2 deri 20 mijë euro.
Sipas Baraliut, në komuna të tjera ka pasur raste të hezitimit për t’iu nënshtruar regjistrimit, por që janë bindur pas disa vizitave.
“Ka pasur rezerva, por kur është biseduar që nga regjistrimi e deri në anëtar të komisionit çdo gjë ka qenë në rregull…”, tha Baraliu.
Pas thirrjeve të Listës Serbe, serbët në Kosovë vendosën ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë.
Procesi i regjistrimit të popullsisë përfundoi më 14 maj, ndërsa rezultatet preliminare do të dalin kah mesi i korrikut.