Njësia A-5 e Termocentralit “Kosova A” duket se sërish ka dal nga funksioni i prodhimit, pak ditë pas rikthimit nga remonti.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se pa u bërë ende 10 ditë, blloku A5 ka dalë prapë jashtë funksionit.
Megjithatë, zyrtarë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk kanë qenë të qasshëm për të verifikuar këtë njoftim të deputetes Bajrami.
Ndërsa, këshilltarja për media e ministres së Ekonomisë, Edita Pozhegu ka thënë për KosovaPress se nuk e ka një informacion të tillë, mirëpo ka kërkuar nga media që të kontaktohet ndërmarrja publike, në këtë rast KEK-u.
“Pa u bë ende 10 ditë, blloku A5 del prapë jashtë funksionit. Thoshin se do të ndalet ”gjakderdhja finaciare”, këta dojnë me i qitë në ”komë” ndërmarrjet publike. Ministrja e pat cilësu dhuratë kthimin në punë të bllokut A5, doli të jetë dhuratë, se vetëm dhuratat zgjasin kaq pak. Për qendrushmëri duhet punë konsistente – don me ju shku mandati pa e kuptu këtë gjë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.