Nëse e keni të vështirë të bini në gjumë, ndoshta keni dëgjuar për trendin e ashtuquajtur “dush në errësirë”. Kjo rutinë përfshin larjen me drita të zbehta ose të fikura, zakonisht si pjesë e ritualit të mbrëmjes para gjumit.
Përkrahësit e saj thonë se ndihmon në qetësimin e mendjes, uljen e stresit dhe përmirësimin e cilësisë së gjumit. Ndryshe nga dushi i mëngjesit që na zgjon dhe na jep energji, ky ritual synon të reduktojë ekspozimin ndaj dritës, të rregullojë temperaturën trupore dhe të nxisë relaksimin, duke e përgatitur organizmin për pushim.
A ndikon vërtet në cilësinë e gjumit?
Sipas neuroshkencëtares dhe ekspertes së gjumit Chelsie Rohrscheib, një dush i ngrohtë në mbrëmje mund ta ndihmojë trupin të përgatitet për gjumë.
Ajo shpjegon se për të nisur procesin e fjetjes, temperatura e trupit duhet të bjerë pak. Dushi i ngrohtë e rrit përkohësisht temperaturën, por pasi dilni prej tij, ajo bie shpejt. Ky ndryshim i dërgon trurit sinjal se është koha për gjumë.
Gjithashtu, qëndrimi në errësirë kufizon ekspozimin ndaj dritës dhe mbështet ritmin cirkadian – orën biologjike që rregullon ciklin gjumë-zgjim. Drita e fortë pengon prodhimin e melatoninës, hormonit që sinjalizon kohën e gjumit, ndërsa drita e zbehtë e favorizon atë.
Studimet tregojnë se reduktimi i ekspozimit ndaj dritës blu në mbrëmje mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e gjumit.
Ndikimi në shëndetin mendor
Përveç gjumit, ky ritual mund të ndikojë pozitivisht edhe në mirëqenien psikologjike. Sipas ekspertëve, dushi në errësirë ndihmon sistemin nervor të kalojë në gjendjen parasimpatike gjendje e lidhur me relaksimin dhe qetësinë – si dhe mund të ulë nivelet e kortizolit, hormonit të stresit.
Ekspertja e gjumit Patricia Read thekson se ky ritual mund të funksionojë edhe si një formë mindfulness-i. Në errësirë, shqisat e tjera bëhen më të ndjeshme dhe vëmendja përqendrohet te ndjesia e ujit të ngrohtë, aromat dhe tingulli i rrjedhës së ujit, duke krijuar një efekt të ngjashëm me meditimin.
Jo zgjidhje për çdo rast
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se dushi në errësirë nuk është një zgjidhje universale për pagjumësinë. Personat me çrregullime kronike të gjumit mund të kenë nevojë për trajtim profesional.
Gjithashtu, mënyra se si i qasemi këtij rituali ka rëndësi. Nëse shihet si detyrim apo si “zgjidhje magjike”, mund të kthehet në burim presioni dhe të mos japë efektin e dëshiruar. Ai duhet të jetë një proces i qetë dhe relaksues.
Çfarë tjetër ndihmon për gjumë më të mirë?
Ekspertët rekomandojnë:
-
një orar të rregullt gjumi
-
shmangien e kafeinës para gjumit
-
reduktimin e dritës së fortë dhe përdorimit të ekraneve në mbrëmje
-
një ambient të errët, të freskët dhe të qetë në dhomën e gjumit
Nëse nuk arrini të flini brenda rreth 20 minutash, këshillohet të ngriheni dhe të bëni një aktivitet qetësues derisa të ndiheni të përgjumur.
Edhe pse nuk është zgjidhje për të gjithë, dushi në errësirë mund të jetë një shtesë e dobishme në rutinën e mbrëmjes për ata që duan një kalim më të butë dhe më të qetë drejt gjumit.






