Një vit i plotë i kryetarëve shqiptarë në Veri, pa përkrahje të komunitetit serb

PËRGATITI: ARTON HAMITI 

Nën përcjellje të njësive elite të Policisë, kryetari shqiptar i Zveçanit kishte hyrë për herë të parë në objektin komunal me 26 maj të vitit të kaluar.

Për shkak të protestave të dhunshme nga komunitetit serb, për gati 10 muaj Ilir Peci drejtoi komunën nga zyra alternative në fshatin Lipë.

Një vit pas, ai po e ushtron detyrën krejtësisht i papenguar nga objekti i komunal.

“Ka qenë një situatë shumë e vështirë me 26 maj të vitit të kaluar. Mirëpo për atë arsye ne jemi pas ndal në kuptim e asaj që deri para një muaji ne kemi qenë duke funksionu nga fshati Lipë. Tash jemi duke punuar nga këtu dhe është një dallim jashtëzakonisht i madh me e krahasu me vitin e kaluar. Për momentin është një situatë shumë e qetë”, deklaroi Ilir Peci, kryetar i Zveçanit.

Teksa qytetarët tashmë po i marrin shërbimet e nevojshme dhe gjithçka i është kthyer normalitetit, fillimi sipas Pecit ka qene shumë sfidues.

“Sfida më e madhe faktikisht që në disa raste kemi qenë para një bllokade ka qenë fakti se 4 muaj kemi qenë pa buxhet. Si komunë me gjithë ata zyrtarë me disa projekte ka qenë shumë e vështirë të punohet me buxhet të bllokuar. Mirëpo sa kemi punu në ato kushte të rënda ne nuk jemi ndalur asnjëherë. Mund të themi që 90% të kërkesave të qytetarëve i kemi plotësuar”, shtoi tutje ai.

Shumë javë kundërshtime, protesta e dhunë, pati edhe në Zubin Potok. Por, normaliteti tashmë është kthyer edhe në komunën që udhëhiqet nga Izmir Zeqiri.

“Pas 24 shtatorit, kur ndodhi sulmi në Banjskë, ku u vra polici dhe largimi i bandave terroriste ka fillu që ndryshimi të jetë më i hovshëm me lëvizjen e këtyre bandave dhe tani mund të themi që situata ë normalizu në tërësi dhe jemi në procese e sipër të integrimit përmes punësimit dhe angazhimeve të komunitetit serb ku ka kërkesa të mëdha”, tha Zeqiri.

Mungesa e përkrahjes nga qytetarët e komunitetit serb sipas Zeqirit ishte pengesa më e madhe gjatë këtyre 365 ditëve.

“Bojkotimi në një formë i tërësishëm sepse serbet kishin frikë. Edhe ata që dëshironin të integroheshin kishin frikë nga bandat terroriste andaj fillimi ishte shumë hezitues nga ana e tyre por kontakti vazhdojë me ta dhe tani mund të themi qe kam kontakte të drejtpërdrejta me ta”, tha tutje ai.

Sidoqoftë, në këto katër komunat veriore që llogaritet se jetojnë rreth 60 mijë qytetarë, shumica e projekteve kanë ngecur që nga viti 2022.

Katër kryetaret shqiptarë, Lulzim Hetemi, Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Erden Atiq, morën pushtetin në zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Mandati i tyre përfundon në vitin 2025, meqë votimi që i hapte rrugë largimit u bojkotua nga komuniteti shumicë në komunat veriore./atvlive.tv/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA