Dr. Alida Dauti Ramaj triumfoi me temën : “Infermierët janë diamantet e jetës së tyre dhe të sistemit shëndetësor”
Në Gjermani u zhvillua një nga garat më prestigjioze të të folurit publik në botë, “Speaker Slam”, ku morën pjesë përfaqësues nga 22 shtete të ndryshme. Në këtë skenë ndërkombëtare, Dr. Alida Dauti Ramaj, shqiptare e lindur dhe e rritur në Shqipëri, me formim akademik në Gjermani dhe Zvicër, u shpall fituese me një fjalim që u veçua për mesazhin e tij vizionar dhe fuqinë emocionale.
“Speaker Slam” është një kompeticion unik, i cili i jep çdo folësi vetëm 240 sekonda kohë për të përcjellë historinë dhe mesazhin e tij. Mes dhjetëra performancave të mbushura me energji e ide novatore, fjalimi i Dr. Ramajt u dallua për qartësinë e vizionit dhe thirrjen e saj të drejtpërdrejtë në mbështetje të një prej profesioneve më jetike: infermierisë.
Me temën “Infermierët meritojnë të jenë diamant i jetës së tyre dhe i sistemit shëndetësor”, ajo theksoi se fuqizimi i infermierëve nis nga ndërgjegjësimi i tyre për vlerat personale:
“Vetëm kur një infermier përdor pikat e tij të forta dhe talentet individuale, ai mund të ndërtojë një jetë të sigurt, të pavarur dhe të suksesshme. Vetëm atëherë bëhet burim force, jo vetëm për veten, por edhe për mijëra pacientë.”
Pjesëmarrja e saj, e realizuar përmes një udhëtimi të posaçëm nga Zvicra drejt Gjermanisë, ishte një dëshmi e përkushtimit dhe e besimit në fuqinë transformuese të fjalës publike. Sipas saj, kjo fitore nuk përfaqëson thjesht një arritje personale, por është një mesazh universal për infermierët shqiptarë në çdo cep të botës: të kujdesen fillimisht për veten, në mënyrë që të kenë kapacitetin të shërojnë të tjerët dhe të jenë shtylla e sistemit shëndetësor.
Përveçse fituese në këtë skenë prestigjioze, Dr. Alida Dauti Ramaj është autore e librave “Unë jam ëndrra ime” dhe “Macja me emrin Paraja”. Ajo ka krijuar dy instrumente inovative për zhvillim personal: “Fletorja e Sukseseve”, e cila synon forcimin e vetëbesimit, dhe “Fabrika e Shanseve”, një udhërrëfyes praktik drejt arritjes së objektivave të përditshme.