Aorta, arteria kryesore dhe më e madhe e gjakut, e cila çon gjakun nga zemra në pjesën tjetër të trupit, ka marrë një nder të veçantë në botën e mjekësisë, duke u njohur si një organ i veçantë i njeriut.
“Është një hap i madh,” tha Martin Czerny nga Spitali Universitar Freiburg në Gjermani. Njohja e aortës si organ e vendos atë në të njëjtin nivel me organet e tjera, zemrën, mushkëritë dhe trurin.
Statusi i ri i organit është i vlefshëm në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara, pasi është përcaktuar si i tillë në udhëzimet e Shoqatës Evropiane për Kirurgjinë Kardiotorakale (EACTS) dhe të Shoqatës Amerikane të Kirurgëve Torakale (STS).
“Ky vendim do të bëjë ndryshim edhe për pacientët, sepse procesi klinik për shumë prej tyre që trajtohen për sëmundjen e aortës ndoshta do të jetë i ndryshëm dhe shpresojmë që tani e tutje më optimal”, theksoi ai.
Deri më tani, ishte e zakonshme që sëmundjet e aortës të trajtoheshin ose në kardiokirurgji ose në kirurgji vaskulare, në varësi të llojit dhe vendndodhjes. Udhëzimet e reja rekomandojnë qartë trajtimin e aortës si një zonë të veçantë mjekësore.
“Duhet të lidhet me fusha të tjera të ngjashme të mjekësisë,” shpjegoi Czerny, drejtor i një spitali për kirurgji kardiovaskulare në Gjermani. “E gjithë kjo do të përmirësojë trajtimin e këputjeve të aortës dhe sëmundjeve të tjera të rënda”, tha Czerny.
Aorta është përgjegjëse për transportimin e gjakut të pasur me oksigjen nga zemra në trup. Kjo enë e madhe gjaku është arteria më e madhe në trup dhe shtrihet nga barkushja e majtë deri te enët në zonën e legenit. Ajo gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e presionit të gjakut dhe shpejtësinë e rrjedhjes së gjakut. /tesheshi.com/