Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurës Jelena Gjukanoviq, e dyshuar për veprën penale të spiunazhit.
Vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila argumentoi se ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurës, ndikimit në prova dhe dëshmitarë, si dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale.
Gjykata vlerësoi se, duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale, masa e paraburgimit është e domosdoshme për të siguruar rrjedhën e rregullt të procedurës penale.
Jelena Gjukanoviq u arrestua me 28 shkurt, në rajonin e Mitrovicës nën dyshimin se ka spiunuar për BIA-n serbe.
E njëjta ishte ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Speciale.
Arrestimi i saj është bërë pas hetimeve disamujore.