Një muaj paraburgim për Jeton Sylajn, ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës.
Mediat janë lejuar të qëndrojnë në sallën e gjyqit vetëm për pak minuta, ndërsa seanca më pas është mbyllur për shkak të ndjeshmërisë së rastit, pasi seancat dëgjimore nuk janë të hapura për publikun.
Reklamë
Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë nga gjyqtarja e Procedurës Paraprake, Selvije Morina Zejnaj, e cila ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e kësaj mase.
Paraburgimi është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga 25 tetori 2026, në orën 20:00, deri më 24 nëntor 2026, në orën 20:00.
I pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, e paraparë me nenin 393, paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas Prokurorisë, Sylaj dyshohet se më 25 tetor, disa orë para vrasjes së Zekajt, nuk e ka respektuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor, i cili e obligonte të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike ndaj saj, të mos e pengonte lëvizjen dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte.
Në kërkesën për paraburgim thuhet se ai dyshohet se e ka kërcënuar Zekajn dhe ia ka marrë rrobat nga rrobalarësja, duke i hedhur në oborrin e shtëpisë.
Sylaj ishte ndaluar nga Policia pak orë para se Arlinda Zekaj të gjendej pa shenja jete.
Për vrasjen e saj, i dyshuar është ish-kunati i saj, i cili është në kërkim nga Policia.
Reklamë









