Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ua ka caktuar nga një muaj paraburgim shtatë të dyshuarve për kërcënim të votuesve në Graçanicë.
Kjo pasi gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar këtë masë të pandehurve M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M.
Ata dyshohen për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale, po ashtu duke marr parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen fare lehtë dhe të jenë të pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pa mundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që do të përsërisin veprat penale, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje penale.





