Përgatiti: Nora Luta
Ndryshe nga ditët e tjera, nxënësit e gjimnazit “Bedri Pejani”, orët e para mësimore, të premten, i filluan me një ligjëratë nga prokurorë të Prokurorisë Themelore të Pejës.
Ato po sigurohen që nxënësit ta kuptojnë, që pavarësisht moshës për kryerjen e veprave penale, sikurse përdorimi i armëve, e substancave narkotike mund të ndëshkohen.
Pas rastit të fundit të arrestimit të një 16-vjeçari, nën dyshimet për planifikim të vrasjes së shokëve të tij të klasës, Prokuroria do të vazhdojë me ligjërata edhe javën e ardhshme.
Fokus do ta kenë edhe vetëdijesimin për përdorimin e rrjeteve sociale.
Përdorimi i rrjeteve sociale, sipas psikologes së shkollës, paraqet shqetësim. Ergita Zajmi u apelon prindërve t’i monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme fëmijët e tyre.
Sipas Zajmit, që nga viti i kaluar është rritur numri i psikologëve në shkollat e kësaj komune.
Fundjavën e kaluar organet e sigurisë kanë arritur të parandalojnë një ngjarje që mund të ishte shndërruar, në tragjedi në këtë qytet. Një 16-vjeçar i cili dyshohet se kishte në plan t’i vriste shokët e tij të klasës, tashmë ndodhet në paraburgim. Policia i kishte rënë në gjurmë planit të tij nëpërmjet rrjeteve sociale.