Një bombë ka shpërthyer pranë një zyre të një kandidati të pavarur në jugperëndim të Pakistanit të mërkurën, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, duke i vrarë së paku 14 njerëz dhe duke i lënduar dhjetëra të tjerë, njoftuan zyrtarët.
Sulmi ndodhi në Pashin, një qark në provincën Baluchistan, tha një zëdhënës i Qeverisë provinciale.
Ai shtoi se të lënduarit po dërgohen në një spital të afërt dhe policia tha se disa prej tyre janë në gjendje kritike.
Pakistani mban zgjedhje në një kohë kur sulmet militante janë në rritje dhe pas burgosjes së Imran Khan, fituesit të zgjedhjeve të fundit nacionale, i cili i ka mbizotëruar ballinat, pavarësisht krizës ekonomike dhe hallet me të cilat përballet vendi i armatosur me armë bërthamore.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri tani. Disa grupe, përfshirë militantët islamistë të grupit taliban pakistanez dhe grupet separatiste nga Balochistan, e kundërshtojnë shtetin pakistanez dhe kanë kryer sulme në këtë vend muajt e fundit.